Politika Divorci me Kryemadhin, Meta jep arsyet: Krisja nisi me djegien e mandateve,...

Divorci me Kryemadhin, Meta jep arsyet: Krisja nisi me djegien e mandateve, shkoi kundër kauzave të mia

Ilir Meta ka mbledhur sot Kryesinë e Partisë së Lirisë. Përpara nisjes së mbledhjes, presidenti i partisë, ka dhënë edhe një sqarim publik, pasi një ditë më parë bëri të ditur se ka nisur procedurat e divorcit me Monika Kryemadhin.

Meta sqaroi se vendimi i divorcit nuk ka lidhje në raportin e tij me Kryemadhin si grua apo si nënë e fëmijëve që ata kanë. Arsyet siç shpjegoi ai, janë politike.

Krisja mes tyre, sipas Metës nisi me djegien e mandateve të LSI-së dhe më pas vijoi deri në ditët e sotme, kur siç duket ishte kthyer në pengesë për ndjekjen e kauzave të tij.

“Jeni njohur me vendimin tim për divorcin. Ky vendim ka qenë më i vështiri në jetën time por është objektiv. Nuk është as i rastësishëm e as i çastit. Është i motivuar nga ndarje të papajtueshme që lidhen me kauzat e mëdha që unë mbroj dhe që janë jetike për Shqipërinë dhe shqiptarët. Marrëdhëniet tona kanë pësuar një krisje të fortë që nga vendi i saj, si kryetare e LSI për djegien e 19 mandateve, që u morën me shumë sakrifica dhe me gjak, në një betejë të madhe në koalicionin anti-Meta dhe anti-LSI të 17 majit, të prindit 1 dhe të prindit 2. Qëndrimet e vazhdueshme të saj krejtësisht në kah të kundërt të kauzave që unë mbroj dhe që krijojnë konfuzion dhe paqartësi në publikun e gjerë duhej të merrnin fund, dhe vendimi im i jep fund çdo paqartësie, dileme dhe stresi sistematik të panevojshëm…”.

Kreu i PL-së tha se mirëkupton “çdo reagim emocional”, por shtoi se përgjegjësitë e tij publike janë tepër të gjëra.

“Detyrimet e mia lidhen me kontributin dhe sakrificën e qindra mijëra njerëzve që kanë besuar te Ilir Meta. Vendimet e mia duhet t’u shërbejnë gjithmonë përmbushjes së kauzave të mëdha…E mora këtë vendim për t’i shkuar deri në fund betejës sime me mafien.”

Nga na tjetër, vetë Monika Kryemadhi, e kontaktuar nga Zëri i Amerikës është shprehur se nuk preferonte për momentin të komentonte vendimin e bashkëshortit të saj dhe se më parë donte të mësonte arsyet që e kishin çuar Metën në kërkesën për divorc.