Gjykata e Apelit do të shpallë më 1 korrik, në orën 14:00, vendimin për Arbër Paplekajn, të akuzuarin për vrasjen e Pjerin Xhuvanit, katër ditë para zgjedhjeve parlamentare të vitit 2021 në Elbasan.
Këtë të premte, gjyqtarët dhe palët u njohën me konkluzionet përfundimtare në procesin ndaj Paplekajt, me avokatin e të akuzuarit, Mirash Martini që mbrojti klientin e tij duke thënë se nga pamjet filmike rezulton se ai ka reaguar instiktivisht në mbrojtje të vetes kur pa dy persona të armatosur.
“Arbër Paplekaj nuk ka reaguar me dhunë në asnjë moment. Ai shquhet nga pamjet që madje përpiqet të largohet. Nuk ka asnjë person në vendngjarje që të dëshmojë që Paplekaj ka fyer dikënd. Por në momentin kur ballë tij kishte dy persona që mbanin duart në borseta krahë qafe dhe kur ka parë armë në duart e tyre, ka reaguar instinktivisht në mbrojtje të vetes dhe personave që ndodheshin aty. Edhe nga pamjet filmike, edhe akti i ekspertimit, tregon se kur Paplekaj ndodhet përballë Pjerin Xhuvanit, sheh dy personat të armatosur në krahët e tij, sheh dhe Pavlo Duksanit që është plagosur në atë çast, ky është edhe momenti i reagimit të tij”, tha avokati i Paplekajt.
Por nuk mendon kështu prokurori Genti Xholi, i cili pas vlerësimit të rezultateve nga dy akt-eskpertimet e reja që janë kryer, thekson se Paplekaj nuk ka qëlluar për t’u mbrojtur. Ai e mbron tezën e tij me argumentin se viktima, Pjerin Xhuvani, nuk ka pasur armë në dorë dhe se në drejtim të tij Paplekaj ka qëlluar disa herë.
“Në ndryshim nga shkalla e parë, në Apel patëm një akt ekspertim të ri balistik. Mbrojtja përpiqet që viktimën e veprës penale ta kthejë në një objekt kryesor të sulmit, për të legjitimuar veprimet e të pandehurit. Është e vërtetë që ngjarja është shumë e shkurtër. Është provë se është shtënë 7 herë nga Paplekaj. Është qëlluar ndaj një personi që nuk ka armë në dorë. Përse është shtënë ndaj viktimës dhe jo ndaj dy personave të tjerë, që konsiderohen të kenë qenë të armatosur. Nuk jemi në kushtet e veprimit në kushtet e vetëmbrojtjes. Mund të jetë shtyrë, mund të jetë fyer. Nuk jemi as në kushtet e tronditjes psikike. Janë shtënë disa predha, jo vetëm një.”