Ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku ka dalë në një konferencë të jashtëzakonshme në lidhje me ndërprerjen e energjisë në të gjithë vendin në orët e mesditës.
Balluku deklaroi se kjo situatë u krijua si pasojë e një avarie në linjën e interkonjeksionit Shqipëri-Greqi, flukseve të mëdha në rrjet dhe temperaturave tepër të larta.
Ministrja shtoi se situata u normalizua në një kohë të shkurtër, por rreziku për përsëritje mbetet i lartë.
“Dua t’ju informoj për situatën kritike që jemi përballur sa i përket sistemit të transmetimit të energjisë elektrike.
Duke nisur nga linja e interkonjeksionit Shqipëri-Greqi, e cila ka pasur një avari dhe më pas në efekt kaskadë i gjithë vendi, kemi pasur shkëputje të energjisë në gjithë Shqipërinë.
E njëjta situatë ka ndodhur në Malin e Zi dhe Kroaci. Volumet e mëdha në sistemet e transmetimit dhe temperaturat kanë krijuar këtë avari.
Nga puna e mirë që është bërë në terren kemi rikuperuar shpërndarjen e energjisë për 30 minuta. Jemi në rrezikshmëri pasi volumet e transmetimit janë të mëdha në linjat e interkonjeksionit”, tha Balluku.