Arbana Osmani dhe Eduart Grishaj ishin të ftuar në podcastin “Flasim” të kryeministrit Edi Rama.
Në një rrëfim ndryshe çifti foli mbi karrierën dhe jetën private, duke ndarë detaje të rrugëtimit të tyre në televizion.
Dhe jo vetëm. Për herë të parë ata folën për njohjen e tyre. Arbana tha se janë njohur në televizion ku kanë punuar bashkë dhe lidhja e tyre erdhi natyrshëm.
Sipas moderatores, asnjëri prej tyre nuk po kërkonte dashurinë në atë periudhë, teksa shtoi se gjëja që i ra në sy te Edi ishte talenti.
“Ne nuk kemi punuar shumë ngushtë bashkë në fillim. Edi ka qenë edhe kameraman i programeve që unë drejtoja, por nuk kemi patur ndonjë raport. Pastaj filluam të punonim shumë më ngushtë bashkë dhe filluam ta njihnim njëri-tjetrin. Nuk ka asgjë të jashtëzakonshme. Thjesht dy njerëz që janë gjetur në një vend pune dhe në një moment kanë filluar ta shikojnë ndryshe njëri-tjetrin. Mua fillimisht më bëri përshtypje talenti i Edit. Më vjen keq që talenti i tij është paragjykuar ndonjëherë edhe prej lidhjes sonë. Lidhja u bë natyrshëm, pa mendje. Asnjëri prej nesh nuk po kërkonte lidhje”, tha Arbana.
Nga ana tjetër, Edi e përshkroi Arbanën ndryshe nga të gjitha vajzat e televizionit dhe si një vajzë të jashtëzakonshme.
“Kur e njoha nga afër, njoha një profesioniste të ekranit. Por, njoha edhe një vajzë të jashtëzakonshme, që nuk e kisha parë asnjëherë që kur fillova punë në televizion. Kisha parë shumë vajza, por nuk kisha parë Arbanën”, tha Eduarti.
Arbana Osmani kujtoi kontaktin e parë të vendosur me kryeministrin Edi Rama, në kohën kur ky i fundit ishte ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.
“Në moshën 12-vjeçare, pas vitit 1997, ju kam dërguar një letër nga Burreli të cilës ju i jeni përgjigjur. Ishe personazhi im i preferuar për atë kohë. Shkruaje editorial te revista “Klan”. Ke shkruar dhe shkruan shumë bukur”, u shpreh moderatorja.
Nga ana e tij kryeministri konfirmoi se “letrave i është përgjigjur gjithmonë derisa mu bë e pamundur t’i përgjigjem vetë. Jam shumë krenar sepse kam krijuar institucionin e parë në bashki që ishte bashkia e Tiranës, ku jepeshin me shkrim për të gjithë ata që i drejtoheshin bashkisë me shkrim 96-97 mijë përgjigje në vit”, u shpreh Rama.
Grishaj tregoi se si në moshën 18-vjeçare kishte udhëtuar për herë të parë drejt Italisë dhe nuk i kuptonte dot sakrificat që bënin emigrantët shqiptarë për të jetuar jashtë, ndaj vendosi të kthehej në Shqipëri.
“Secili është i lirë ta bëjë zgjidhjen vetë. Nuk është e vërtetë se çfarë gjen kur shkon diku, t’i kompenson të gjitha. Gjithmonë ka diçka që e fiton dhe diçka që e humb”, tha Grishaj.
Grishaj tregoi se filmi i fundit i tij i kushtohet emigracionit dhe bazohet në një histori të vërtetë. “Kemi xhiruar në Meksikë dhe Itali. Në Meksikë gjithçka ka qenë shumë e vështirë, pasi aktorja ishte nga Kosova dhe pasaporta e Kosovës nuk njihej”, tha ai.