Pasi ka marrë zyrtarisht votimin e Kuvendit, Hristjan Mickoski ka zhvilluar një takim ceremonial me Talat Xhaferin, i cili i ka dorëzuar detyrën e kryeministrit.
Në një reagim në rrjetet sociale, Xhaferi, i cili mbajti përkohësisht postin e kryeministrit deri në zgjedhje, tha se i uroi pasarëdhësit të tij suksese në detyrën e re dhe i shtriu dorën e bashkëpunimit për prioritetet e vendit.
“Gjatë pranim dorëzimit zyrtar të funksionit kryeministror, Kryeministrit të sapo zgjedhur Hristijan Mickoski i urova punë të suksesshme dhe efikase në interes të të gjithë qytetarëve. I theksuam zgjedhjet e lira, korrekte dhe demokratike si vlerë e shtuar e euro integrimeve. Shpreha shpresë se subjektet politike do të tregojnë nivel të lartë të vetëdijes politike dhe do të jenë të hapur për bashkëpunim për prioritetet strategjike të shtetit”, shprehet Xhaferi.
Mbrëmjen e djeshme, parlamenti i Maqedonisë së Veriut votoi qeverinë e re me 77 vota pro dhe 22 kundër.
Qeveria e re përbëhet nga VMRO-DPMNE, koalicioni VLEN dhe partia “ZNAM” e Maksim Dimitrievskit.