Përgjatë kësaj jave që kaloi, janë hequr 114 patenta. Referuar njoftimit zyrtar të Policisë së Shtetit, shoferëve iu është marrë patenta për shkak të shpejtësisë tej normave të lejuara si edhe përdorimit të alkoolit në timon si edhe për kundravajtje. Ndërkohë, 42 shoferë janë vënë në pranga, nga të cilët 29 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 13 për drejtim të mjetit pa patentë.
Bilanci i gjobave ka qenë edhe më i madh, pasi përgjatë një jave janë ndëshkuar 27.191 shoferë.
Policia njofton se kontrollet do të vijojnë të jenë intensive edhe në javën e ardhshme.
“Gjithashtu, gjatë javës së ardhshme, shërbimet e Policisë Rrugore do të vijojnë intensivisht monitorimet në të gjitha rrugët urbane, interurbane dhe rurale, duke përdorur mjetet inteligjente dhe bazën logjistike bashkëkohore që ka në dispozicion, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë rrugore”, thuhet në njoftim.
Bilanci i Policisë
-janë pezulluar 114 leje drejtimi, për shpejtësi mbi normat e lejuara, për drejtim të mjetit në efektin e alkoolit/në gjendje të dehur dhe për qarkullim në sens të kundërt;
-janë arrestuar 42 drejtues mjetesh, nga këta 29 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 13 për drejtim të mjetit pa leje drejtimi.
Gjithashtu, në të gjithë vendin janë vënë 27 191 masa administrative, nga këto:
* 7333 për shpejtësi tej normave të lejuara;
* 1713 për përdorim të celularit, gjatë drejtimit të mjetit;
* 1440 për mospërdorim të rripit të sigurimit;
* 3143 për parakalime të gabuara.
* 876 për mosvendosje të kaskës mbrojtëse;
* 256 për manovra të rrezikshme në rrugë;
* 298 për drejtim të mjetit, në efektin e alkoolit;
* 10009 për parkim të gabuar;
* 2123 për shkelje të tjera.