7 masa sigurie u lëshuan nga Gjykata e Tiranës me kërkesë të prokurorisë së kryeqytetit për mjekë e specialistë të Spitalit Onkologjik. Të akuzuar për shpërdorim detyre e kontrabandë, hetimi disa mujor i prokurorisë çoi në zbulimin e një skemë sipas së cilës, mjekët nuk u jepnin shërbim pacientëve pranë QSUT dhe i drejtonin ata te privati, me qëllim përfitimi.
“Këta shtetas, gjatë kohës që kanë qenë të punësuar në spitalin shtetëror “Nënë Tereza”, kanë shpërdoruar detyrat, duke mos iu dhënë qytetarëve, shërbimin e nevojshëm në spitalin shtetëror, por duke i orientuar ata në spitale private, për të marrë shërbimet që kërkonin”, thotë policia e Tiranë në një njoftim për mediat
E jo vetëm kaq. Po sipas policisë “në spitalin “Nënë Tereza” ka qenë i vendosur dhe burimi i kobaltit që shërbente për radioterapinë, i cili nuk vihej në punë dhe ishte jashtë standardeve, duke u kthyer në një burim rreziku për pacientët. Gjatë hetimit është bërë e mundur që ky burim të zhvendoset në vendin e përcaktuar”.
Ndaj personave në fjalë u caktuan masat arrest shtëpie dhe detyrim paraqitje. Prej tyre një person rezulton jashtë vendit.
2 në arrest shtëpie, të tjerët në detyrim paraqitje
-Arrest në shtëpi për mjekun Edmond Gashi, 44 vjeç, i akuzuar shpërdorim detyre.
-Detyrim për t’u paraqitur për koordinatorin pranë Spitalit Onkologjik, Emiljano Lela, 36 vjeç, i akuzuar për shpërdorim detyre.
-Detyrim për t’u paraqitur për mjeken Alketa Ymeri (Pere), 53 vjeçe, e akuzuar shpërdorim detyre.
-Detyrim për t’u paraqitur për zv/drejtoreshën në QSUNT, e ngarkuar me detyra për shërbimin onkologjik, Brikena Qirjazi, 52 vjeçe, e akuzuar shpërdorim detyre.
-Arrest në shtëpi për administratorin e farmacisë “Flori Farma”, Florian Marku, 42 vjeç, i akuzuar për tregtim dhe transportim të mallrave që janë kontrabandë dhe ruajtja ose depozitimi i mallrave që janë kontrabandë.
-Detyrim për t’u paraqitur për Halil Gashin për fshehje të të ardhurave.
-Detyrim për t’u paraqitur për ish-specialisten pranë QSUNT, Drilona Kishta, e akuzuar për shpërdorim detyre. (Vendimi për të nuk është ekzekutuar pasi është jashtë vendit).
“Në kuadër të këtij procedimi është ushtruar kontroll në disa subjekte farmaceutike ku janë sekuestruar një sasi e konsiderueshme mallrash të dyshuara të kontrabanduara dhe të falsifikuara, shuma 10 000 euro, si dhe një klinikë mjekësore”, thotë Policia e Tiranës.
Ndërsa prokuroria tha se “u arrit të dokumentohen raste të blerjes së ilaçeve me vlera të konsiderueshme për kimioterapi nga farmaci të cilat këto medikamente i tregtonin pa pullën fiskale dhe me kod të prishur duke krijuar dyshimin në lidhje me autenticitetin e këtyre barnave”.
Nga hetimet e prokurorisë ezultoi se në Spitalin Onkologjik u instalua një Aparaturë Kobalto-Terapie për trajtimin e të sëmurëve të diagnostikuar me sëmundje tumorale dhe sidomos të sëmundjeve të kancerit të lëkurës.
Që të përdoret Cobalt Therapy duhet të krijohet një bunker antiradioaktiv ose antiatomik në kushtet e miratuara dhe të prezantuara nga Agjencia Atomike e Vienës ose Agjencia Ndërkombëtare që thirret IEAHEA. Hetimet zbuluan se ky bunker jo vetëm nuk u krijua, por aparatura u vendos jashtë kushtetve teknike.
“Që nga viti 2021 kur ky aparat ka mbërritur në Shqiperi dhe deri më sot, ai jo vetëm që nuk është shfrytëzuar, por është lënë në kushte të papërshtatshme duke u bërë burim rreziku ndaj vete personelit mjekesor si pasojë e rrezatimeve të mundshme që emëton kjo pajisje”, tha prokuroria e kryeqyteti.