Edhe në rastin kur një punonjës i shëndetësisë lirohet nga akuzat penale që mund të jenë ngritur ndaj tij nga organet e drejtësisë, nëse është provuar shkelja administrative, atëherë ai nuk do të lejohet të jetë më pjesë e sistemit. Këto ndryshime që u paralajmëruan nga Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, vijnë pas një hetimi disa mujor të Prokurorisë së Tiranës që zbuloi se mjekë e staf në Spitalin Onkologjik, në QSUT, kishin ngritur një skemë përfitimi me pacientët që vuajnë nga kanceri.
“Neveri dhe ndëshkim për këdo që njollos shëndetësinë shqiptare. Ka nisur një hetim penal do ndëshkohen sipas ligjit. Disa banditë që veshin bluzën e bardhë nuk mund të njollosin bluzat e bardha shqiptare që u shërbejnë çdo ditë qytetarëve shqiptarë. Sigurisht ne do të ndërmarrim të gjitha masat, por më lejoni të them që edhe në nivel administrativ ka pasur një hetim të filluar për Spitalin Onkologjik. Në janar të 2023-t është ndërmarrë një hetim, është ndëshkuar dhe kallëzuar për ndjekje penale një punonjëse. Ndërkohë në periudhën Janar-Korrik 2023, ka patur një plan të qartë masash për një hetim administrativ në QSUT me fokus Onkologjikun nga Drejtoria Antikorrupsion. Dhe ky hetim administrativ vazhdon”.
“Sigurisht hetimi penal do të bëjë të vetën, por në rrafshin administrativ dhe të ndërmarrjes të ndryshimeve dhe masave ligjore, mbështesim kolegen e Shëndetësisë (Lexo më shumë). Qeveria mbështet maksimalisht bluza e bardha, por nuk do të lejojmë në asnjë rast, që individë të tillë, banditë me bluza të bardha, të njollosin sistemin”, tha Manja.
Por çfarë parashikojnë këto ndryshime?
“Nuk po flasim për ndryshime ligjore në aspektin penal. Ministrja si përgjegjëse e sektorit direkt do të bëjë një rivlerësim të kuadrit ligjor që disiplinon sektorin përkatës. Dhe propozimet për ndryshime përfshirë dhe Urdhrin e Mjekut do të vijnë nga sektori i Ministrisë së Shëndetësisë dhe qeveria do të mbështetëse të gjitha propozimet. Më lejoni të them, bëhet fjalë për ndryshime ligjore sa i takon aspektit administrativ dhe sektorit përkatës dhe jo ndryshime penale”.
Këtë, Ministri i Drejtësisë e shpjegoi me një shembull konkret.
“Le të themi që në aspektin penal të lirohet nga akuzat, por kjo nuk duhet ta lejojë të ushtrojë profesionin në sektorin e shëndetësisë nëse realisht është provuar shkelja administrative, por jo penale. Sepse bëhet fjalë për një sektor ku luhet me jetët e njerëzve. Do prisni, ndryshimet do të vijnë shumë shpejt”.