Flamuri i Shqipërisë do të ngrihet në oborrin e Brukselit në vitin 2030. Kështu u shpreh kryeministri Edi Rama në fjalën e tij para grupit parlamentar socialist, duke folur për procesin e integrimit dhe komisionin antikorrupsion.
Rama theksoi se ky është misioni i qeverisë së tij.
“Ne duhet të shkëlqejmë në këtë proces siç bëmë procesin e diagnostikimit duhet të ngremë flamurin kombëtar tek oborri në Bruksel. Duhet të ngrihet dhe ky flamur dhe kjo do të ndodhë në 2030. Dekada tjetër Shqipërinë do ta gjejë në tavolinën e Këshillit Europian. Ky duhet të jetë fiksimi dhe misioni ynë, të gjitha të tjerat nuk janë mjaft për atë që ne jemi zgjedhur dhe i detyrohemi historisë së këtij kombi dhe këtij vendi”.
Ai i bëri thirrje opozitës që të marrë pjesë ne komisionin e Posaçëm për Mirëqeverisjen-Sundimi e Ligjit- Antikorrupsionin dhe të sjellë idetë e saj.
Sipas tij, kjo punë do të certifikohet nga partnerët dhe idetë e mira nuk do të lihen jashtë.
“E vetmja pjesë e paangazhuar e vendos vetë në çdo moment që do të duan të ulen le të vijnë dhe të sjellin të gjitha idetë që kanë si luftohet krimi e korrupsioni apo për ta bërë Shqipërinë më të sigurt e europiane t’i sjellin aty dhe pa asnjë paragjykim çfarë është pozitive e vlefshme do të qëndrojë aty. Kjo është një punë që kur të shkruhet, do të duhet të certifikohet nga partnerët tanë dhe SHBA. Nuk ka shans që nëse ka ide të mira ti lëmë jashtë vetë. Nuk kemi shpikje të mëdha për të bërë, i kemi gjërat e vendosura. Dhe shpresoj që ata që nuk e kanë kuptuar pse-në e ngritjes së këtij komisioni dhe domosdoshmërinë e këtij procesi, se janë rrëmbyer nga vala e teorive të konspiracionit, sot e kanë të qartë dhe nëse duan argumente le të hapin librin e madh, se aty është faqe dhe dhimbje koke për sa shumë gjëra duhet të bëjnë të gjithë; gjyqësori, ekzekutivi e legjislativi”.
Përveç kësaj Rama u tregoi opozitarëve se pjesëmarrja në këtë komision, u vlen nëse duan të vinë në pushtet vitin tjetër, gjë që sipas tij ata nuk e besojnë as vetë.
“Projektrezoluta antikorrupsion. Ky është një ushtrim i shtetit që për hir të së vërtetës i ka të gjithë komponentët në dispozicion sa i takon përfaqësimit ndërkombëtar, por do të ishte shumë mirë që të kishte edhe ata që nuk janë pjesë e kësaj skuadre kombëtare se janë në opozitë. Nuk janë sot, nuk paraqiten, ndërkohë që komisioni i posaçëm është ngritur për të qenë një hapësirë jashtë perimetrit të luftës parlamentare qoftë kjo luftë në sallat e seancave e të komisioneve . Është një hapësirë ku nuk bëhet politikë dite, po ku të gjithë ata që janë brenda këtij perimetri me një mandat nga populli shqiptar duhet të jenë pjesë aq më tepër që i dëgjojmë që do vijnë në pushtet vitin tjetër. Të duash të vish në pushtet vitin tjetër dhe ta mendosh që do vish, do jesh më i interesuari të jesh në këtë tryezë se të gjitha këto do të kesh ti për t’i marrë, qoftë edhe si një kurs parashkollor, kjo mund të vlejë që në momentin kur të marrësh pushtetin të jesh gati, po sigurisht që gjasat janë që askush nga ata që thotë se do marr pushtetin vitin tjetër nuk e beson as vetë që do marrë pushtetin. I mbyturi që do të mbysë tjetrin që po noton. Ne nuk kemi asnjë arsye të humbasim fokusin nga puna. Me ata ose pa ata ne këtë punë do ta bëjmë se Shqipëria nuk mund të presë që ne të merremi vesh me ata. Ky nuk është kopsht pa drekë, vendet janë aty. Në vendet tona të gjithë anëtarët janë në punë, grupi i ekspertëve po ngrihet, puna do të vijojë”.