Është përmbysur plotësisht skenari i ngjarjes së ndodhur mesditën e sotme në burgun famëkeq të Koridhalos në Greqi, ku u vra me thikë 35-vjeçari Alfons Doci.
Fillimisht u raportua se autori i ngjarjes ishte Altin Vokri, i cili kishte mbetur i plagosur dhe vetë pas sherrit, por hetuesit helen pas inspektimit të pamjeve filmike nga kamerat e burgut kanë identifikuar Xhuliano Halilin si autor të krimit.
Pasi është ballafaquar me pamjet, Halili ka pranuar vrasjen dhe ka rrëfyer se e ka therur shokun e tij me një thikë kuzhine, pasi më parë ishin grindur për temperaturën në dhomë.
Përleshja mes Halilit dhe Docit e Vokrit ka ndodhur në repartin e 4-të Koridhalos, ku mbahen të dënuar për vrasje dhe krime të rënda. Sherri ka nisur kur punonjësit e burgut kanë kërkuar që të burgosurit të kthehen në qeli. Për shkak të temperaturave të larta, disa kanë pranuar e disa kanë refuzuar dhe mes tyre ka nisur një konflikt që përfundoi me gjakderdhje.
Ajo që përbën çudi është fakti se vrasësi dhe viktima e tij janë miq dhe në vitin 2018, janë arratisur së bashku gjatë transferimit të tyre për në Kretë nga furgoni i transferimit të të burgosurve në portin e Pireut.
Kur automjeti i policisë ka hyrë në traget, Halili dhe Doci kanë arritur të heqin prangat dhe me hapjen e derës, kanë arritur t’i shpëtojnë policit që i ruante dhe janë zhdukur, për t’u arrestuar pas dy ditësh në Nea Filadelfia të Athinës.
Sa i përket 42-vjeçarit që ka kryer vrasjen, ai është i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e dy shqiptarëve babë e bir, 35 vjeç dhe 23 muajsh në Kallamata.
Xhuliano Halili i njohur ndryshe si “Niko”, akuzohet se në nëntor 2011 ka vrarë Fillim e Oligert Mesaja, me origjinë nga fshati Caj i Kukësit. Vrasja atëherë ishtë porositur nga krimineli famëkeq grek Vasilis Varelas për larje hesapesh.
Halili pasi qëlloi me çifte në kokë babain e të miturit, e theri me thikë në fyt 2-vjeçarin. Ai akuzohet edhe si autor i dy vrasjeve të tjera me pagesë, të kryera në vitin 2008 dhe 2009, ku viktima ishin dy shtetas grekë.