Kuvendi nisi këtë të enjte me një minutë heshtje. Deputetët u ngritën në këmbë dhe qëndruan në heshtje në përkujtim të ditës së gjenocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë.
“Përpara se të fillojmë me rendin e ditës ju bëj me dije se nisur nga fakti se data 27 Qershor është shpallur në kalendarin kombëtar si dita e gjenocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë nga grupi parlamentar “Demokraci dhe Integrim” është kërkuar mbajtja e një minutë heshtjeje në përkujtim të viktimave të gjenocidit”, tha Nikolla.
Pas heshtjes pati një fjalim nga kreu i PDIU, Shpëtim Idrizi. Ai tha se masakra ndaj të parëve nuk falet e as nuk harrohet.
“Një nga spastrimet etnike më të egra në historinë e Shqipërisë. Shumë mund të thonë që kanë kaluar kaq shumë vite, por gjenocidi nuk ka moshë. Unë dhe kolegët deputetë jemi për t’ju thënë se memorja e një kombi është më e madhe se e një njeriu. Ajo shkon nga brezi në brez. Jam këtu për ta sqaruar dhe për ta thënë më me forcë sepse masakra ndaj të parëve tanë ne nuk i falim, nuk i harrojmë, por i nderojmë sot dhe në çdo ditë të qenies sonë”, tha Idrizi.