Gjykata e Posaçme e Apelit ka lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë për Emiljano Shullazin, Gjergj Cukalin dhe 10 personat e tjerë, të cilët akuzohen se janë pjesë e grupeve kriminale. Të pandehurit kishin kërkuar një masë më të butë sigurie se ajo e arrestit me burg, ndërsa pretendimi i tyre është rrëzuar nga Apeli i Posaçëm.
Gjykata ka rrëzuar ankimimet e Besian Xhixha, Drianto Bardhi, Gjergji Cukali, Enver Diva, Blerim Abazi, Satilno Basho, Albert Zaja, Emiljano Shullazi, Dejvis Bajramaj, Armando Ndreca, Robert Laçi dhe Naim Stafuka.
“Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtare Miliana Muça, sot më 28.06.2024, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 24 akti, datë 20.06.2024 regjistrimi, mbi ankimet e personave nën hetim B.Xh., D.B., Gj.C., E.D., B.A., S.B., A.Z., E.Sh., D.B., A.N., R.L., N.S., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 49, datë 15.05.2024, verifikuar me vendimet nr. 50, datë 19.05.2024, nr. 51, datë 20.05.2024 dhe nr. 52, datë 20.05.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, disponuar në lëndë të masave të sigurimit personal, dhe vendosi:
1- Miratimin e vendimeve nr. 49, datë 15.05.2024 dhe nr. 50, datë 19.05.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, lidhur me ankuesit N.S., B.A. (alias B.G.), A.N., R.L., S.B., D.B., D.B.
2- Miratimin e vendimeve nr. 49, datë 15.05.2024 dhe nr. 51, datë 20.05.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, lidhur me ankuesit Gj.C. dhe A.Z.
3- Miratimin e vendimeve nr. 49, datë 15.05.2024 dhe nr. 52, datë 20.05.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, lidhur me ankuesin E.Sh.
4- Mospranimin e ankimit të ankuesve B.Xh. dhe E.D., ndaj vendimit nr. 49 datë 15.05.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.”-njofton Gjykata.