Kryeministri Edi Rama ka dorëzuar 200 tituj pronësie në Theth. Në fjalën e tij para banorëve të zonës, ai premtoi që edhe 90 të tjerë do jepen në muajt e ardhshëm, kjo prej disa “ngërçeve” ligjore.
“Mirë se ju gjej përsëri siç ju dhashë fjalën herën e shkuar më 30 Qershor, ja ku jemi sot. Jo thjesht për të biseduar e shpërndarë titujt e shumëpritur të pronësisë, për të cilët nuk e nisëm punën atë ditë, por prej kohësh. Tani është në hapat e fundit dhe këtë që po bëjmë këtu do e bëjmë dhe në zona të tjera, qoftë në veri e jug. Ndarja e pronave do të bëhet me një formulë tjetër dhe shtëpitë e trashëguara nuk ka qenë e mundur të marrin hipotekën si rezultat i shtrëngimeve të tjera të natyrës ligjore që ka zona. Ajo që ka rëndësi është që sot janë 200 tituj pronësie që janë këtu, një pjesë të vogël do e shpërndajmë tani. Pjesën tjetër do e merrni më tutje gjatë ditës.
Janë dhe 90 tituj të tjerë, për një pjesë të tyre, 40 mos gabohem do të duhet që bashkia e Shkodrës të bëjë një ndryshim. Studimin e zonës, që është çështje ligjore dhe ma ha mendja që Beneti do ta përfundojë brenda Shtatorit. Për 50 tituj të tjera është problematika e ndërtimit në pronën e tyre, por përtej afatit ekzistues për legalizimit. Natyrisht do gjejmë një zgjidhje për të gjithë ata që janë në kushtet tuaja, ku pamundësia e marrjes së një leje ka qenë objektive.”
Një lajm të mirë dha sa i takon gjobave të vendosura për ndërtimet brenda truallit.
“Këtu ka një masë shumë të madhe që janë vendosur si rezultat i ndërhyrjeve apo ndërtimeve aty ku keni pasur shtëpinë e vjetër apo truallin tuaj. Janë bërë për shkak të nevojës për të krijuar ekonomi përmes turizmit dhe nuk janë ndërtuar sipas ligjit sepse shtrëngimi i legjislacionit për këtë zonë që figuron e mbrojtur natyrore, e ka bërë të pamundur. Qeveria do t’i falë të gjitha këto gjoba! Sepse nuk janë tipikisht ndërtime të bëra abuzivisht për t’ju shmangur ligjit”, tha kryeministri.