Në datën 2 dhe 3 korrik, flamujt do të ulen në gjysmë shtizë. Do të jenë 2 ditë zie, për ndarjen nga jeta të kolosit të letrave shqipe, Ismail Kadare. Vendimi është marrë ditën e sotme në mbledhjen e qeverisë, me firmë të kryeministrit Edi Rama. Ky i fundit, do të jetë gjithashtu pjesë e Komisionit të Posaçëm Shtetëror që do të ngrihet për organizimin e homazheve dhe të ceremonisë shtetërore që do të mbahen në nder të tij.
Përveç Ramës, në përbërje të Komisionit të Posaçëm që do të merren me ceremoninë deri në përcjelljen për në banesën e fundit të Kadaresë, do të jetë Ministri Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Ministri i Mbrojtjes, Ministri i Brendshëm, Kryetari i Bashkisë Tiranë; Drejtorin i Protokollit të Shtetit; Drejtorin i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Komandanti i Gardës së Republikës së Shqipërisë, Drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare, Përfaqësues nga Kabineti i Kryeministrit, Përfaqësues nga zyra e Shtypit të Kryeministrit.
Homazhet do të mbahen në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit, të mërkurën në datën 3 korrik, në dy fasha orari, nga ora 09:00-11:00 dhe 11:30-12:30. Ndërsa në orën 13:00 do të ndërpritet çdo aktivitet dhe do të mbahet 1 minutë heshtje, teksa RTSH do të transmetojë muzikë funebre.
Shpenzimet e varrimit, të homazheve dhe ceremonialit do të përballohen nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.
Ismail Kadare ndërroi jetë këtë të hënë, (1 korrik 2024) në moshën 88-vjeçare në urgjencës e Tiranës. Kandidati për Nobel në Letërsi, është njohur si një ndër shkrimtarët më të mëdhenj bashkëkohorë, kryesisht për prozë, por kontributi i tij shtrihej edhe në dramaturgji, poezi dhe përkthime.
Ismail Kadare nisi të shkruajë kur ishte ende i ri, fillimisht poezi, me të cilat u bë i njohur, e më pas edhe prozë, duke u bërë prozatori kryesor shqiptar. Deri më sot veprat e tij janë përkthyer në rreth 45 gjuhë të ndryshme, duke qenë kështu përfaqësues kryesor i letërsisë shqipe nëpër botë.