Përmes një njoftimi zyrtar, SPAK i uron shërim të shpejtë 63-vjeçarit Pal Trashaj i cili u vetëhelmua këtë të Martë në dyert e Prokurorisë së Posaçme. Në lidhje me incidentin, kanë dhënë disa detaje.
Sipas SPAK, Trashaj ka kërkuar takim me një nga hetuesit e BKH-së për një çështje që si kompetencë i takon një prokurorie tjetër. Më pas ai ka dalë në oborrin e godinës dhe nuk është kthyer për të marrë përgjigjien sa i takon kërkesës. Kjo pasi ka konsumuar fostoksinë…
“Në lidhje me incidentin e sotëm të qytetarit Pal Trashaj të ndodhur jashtë Prokurorisë së Posaçme, institucioni ynë i uron z. Trashaj shërim të shpejtë! Sqarojmë se qytetari në fjalë është paraqitur tek oficeri i informacionit dhe ka kërkuar takim me një nga hetuesit e BKH-së për një çështje e cila pas verifikimeve ka rezultuar se i ka kaluar për kompetencë një prokurorie të juridiksionit të përgjithshëm që në vitin 2022. Më pas oficeri i informacionit ka bërë me dije qytetarin të presë sa të njoftojë hetuesin e çështjes mbi kërkesën e tij. Ndërkohë që oficeri i informacionit ka marrë kontakt me hetuesin e çështjes, qytetari ka dalë jashtë në oborr, duke mos ardhur për të marrë përgjigje. Pas disa orësh, jashtë ambjenteve të SPAK, janë parë shërbimet spitalore të urgjencës dhe aty është mësuar rreth veprimit të ndërmarrë nga z. Trashaj Institucioni ynë ka bërë menjëherë verifikimet rreth këtij incidenti për të sqaruar çdo veprim të punonjësve të tij. Prokuroria e Posaçme, garanton se do t’i përgjigjet në kohë çdo qytetari me korrektësi dhe në zbatim të ligjit për çështje që janë në kompetencën e saj”, bën me dije SPAK.
63-vjeçari ndodhet aktualisht në spital dhe ende nuk dihet gjendja e tij shëndetësore.