Prokuroria e Posaçme ka caktuar një masë të dytë sigurimi “arrest me burg” për ish-kryebashkiakun e Himarës, Jorgo Goro në kuadër të procedimin penal nr.127 për veprat penale “falsifikimi i dokumentave” dhe shpërdorimi i detyrës.
Goro akuzohet se i ka dhënë pronësinë e një toke me dokumenta false, Arqile Bollanos, tanimë kryebashkiak i komanduar i Himarës.
“Pas kryerjes së veprimeve hetimore dhe analizës së provave të grumbulluara deri në këtë fazë të hetimit është krijuar dyshimi i arsyeshëm se shtetasi J. G., në cilësinë e Kryetarit të Bashkisë Himarë, gjatë procesit të trajtimit të kërkesës së paraqitur nga shtetasi A. B. dhe më tej pajisjen e këtij shtetasi me aktin e marrjes së tokës në pronësi, ka kryer veprime/mosveprime në kundërshtim me nenin 17 të ligjit nr. 9948/2008 “Për Shqyrtimin e Vlefshmërisë Ligjore të Krijimit të Titujve të Pronësisë mbi Tokën Bujqësore”, i ndryshuar, si dhe pikat 1, 2, 3 të VKM-së me nr. 253, datë 6.3.2013 “Për Përcaktimin e Procedurave të Plotësimit të Akteve të Marrjes së Tokës Bujqësore në Pronësi për Familjet Bujqësore në Fshatra e Ish-Kooperativave Bujqësore”, duke konsumuar në këtë mënyrë elementët e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
Si rezultat i veprimeve të Bashkisë Himarë, shtetasi A.B. ka përfituar sipas Aktit të Marrjes së Tokës në Pronësi nr….., datë 25.08.2016, një sipërfaqe toke prej 4263 m2. Kjo sipërfaqe toke është përfituar në mënyrë të paligjshme pasi hetimi ka provuar se shtetasi A.B. është trajtuar me tokë bujqësore bazuar në Ligjin nr. 7501/1991 “Për Tokën” sipas AMTP nr…….., datë 08.03.1996, me sipërfaqe totale 7700 m2.
Nisur sa më sipër, Prokuroria e Posaçme i është drejtuar Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me kërkesë për caktimin e masës së sigurimit “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale, për shtetasin nën hetim J. G. me detyrë ish-kryetar i Bashkisë Himarë dhe Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin nr. 67 datë 03.07.2024, ka vendosur caktimin e masës së sigurimit “Arrest në burg” për këtë shtetas, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
Byroja Kombëtare e Hetimit ka ekzekutuar masën e sigurimit “arrest në burg”, caktuar ndaj Jorgo Goros. Hetimet vijojnë me qëllim evidentimin e përgjegjësisë së personave të tjerë të përfshirë në kryerjen e veprës penale”, njofton SPAK.