Në kuadër të operacionit policor të koduar “Summer” janë arrestuar e ndaluar 15 persona, 3 janë shpallur në kërkim dhe 4 të tjerë janë proceduar penalisht. Operacioni është finalizuar pas hetimeve 2-mujore për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkoktikëve dhe armëmbajtjes pa leje.
“Në zbatim të masave të përcaktuara në planet operacionale kombëtare “Sundimi i Ligjit” dhe “Tempulli”, Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve pranë Drejtorisë Vendore, bazuar në inteligjencën policore referuan materialet në Prokurori për disa shtetas që ushtronin veprimtarinë kriminale në fushën e shpërndarjes së lëndëve narkotike dhe armëmbajtjes pa leje. Prokuroria e Durrësit bazuar në referimin e bërë nga Policia regjistroi procedimin penal, procedim i cili zgjati dy muaj dhe u ndoq me metoda proaktive.”
Gjykata e Durrësit caktoi masën e sigurimit personal “arrest në burg” për 16 persona, ku gjatë operacionit u ndaluan 13 persona dhe u shpallën në kërkim 3 shtetas që nuk u gjetën gjatë operacionit për ekzekutimin e urdhrave të ndalimit të lëshuara nga Prokuroria. Konkretisht:
D. M., 53 vjeç, F. D., 44 vjeç, F. T., 57 vjeç, D. Sh., 33 vjeç, S. L., 34 vjeç, M. L., 29 vjeç, S. S., 32 vjeç, K. S., 34 vjeç, M. J., 34 vjeç, E. P., 33 vjeç, G. T., 32 vjeç, banues në Durrës , R. K., 50 vjeç, banues në Shijak dhe Z. H., 48 vjeç, banues në Kavajë.
Si dhe u shpallën në kërkim pasi nuk u gjetën në banesa gjatë operacionit shtetasit:
D. M., 41 vjeç, O. M., 20 vjeç, dhe E. P., 46 vjeç, banues në Durrës.
Gjatë operacionit janë arrestuar në flagrancë shtetasit Xh. Xh., 27 vjeç, banues në Durrës, pasi gjatë kontrollit në banesë Policia i gjeti një sasi lënde narkotike kokainë dhe heroinë dhe M. M., 23 vjeç, banues në Durrës, pasi Policia i gjeti në banesë një armë zjarri pistoletë.
Gjithashtu janë proceduar penalisht edhe 4 persona pasi janë gjetur me nga një sasi të vogël lënde narkotike dhe ishin të shoqëruar me personat që u ndaluan.
Në kuadër të këtij operacioni janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale:
1 armë zjarri e llojit kallashnikov, 3 pistoleta, 1 pushkë, 1 çifte, municion luftarak, qindra doza me lëndë narkotike të dyshuar kokainë, heroinë, kanabis, 20 telefona celular, 7 automjete, peshore elektronike dhe një shumë parash e përfituar nga kjo veprimtari kriminale.
Arsenali i armëve është gjetur gjatë operacionit në Kavajë në banesën e shtetasit Z.H. ku u gjetën 3 armë zjarri dhe 1 armë gjahu, 1 armë zjarri pistoletë në banesën e shtetasit D.M, banues në Durrës i shpallur në kërkim dhe një armë zjarri pistoletë në banesën e shtetasit M. M., 23 vjeç, banues në Durrës, i arrestuar në flagrancë.
Policia thekson se gjatë hetimeve proaktive mbi bazën e autorizimeve të lëshuara nga prokurori i çështjes, janë bërë shumë blerjeve të simuluara personave të ndryshëm, të dokumentuara këto me pamje filmike, me dron, përgjime ambientale dhe sekuestrime të lëndës narkotike.