E ardhmja e Armando Brojës vazhdon të jetë e paqartë. Sulmuesi po shijon ditët e fundit të pushimeve, pas angazhimit me Shqipërinë në Europian, por sigurisht që e ka mendjen edhe te merkato.
Në ditët e ardhshme, 22-vjeçari do të rikthehet te Chelsea, klub që zotëron kartonin e tij, por nuk pritet të qëndrojë për shumë gjatë aty.
Në listën e klubeve që duan Brojën, së fundmi është shtuar edhe klubi i madh turk, Fenerbahce. Raportimet e fundit nga Turqia, bëjnë me dije se shqiptari pëlqehet nga drejtuesit, që duan ta vënë nën urdhrat e trajnerit Jose Mourinho.
Klubi nga Stambolli kërkon të krijojë një skuadër konkurruese për sezonin e ri, aty ku synohet titulli kampion. Broja duket se zgjedhja e duhur për sulmin e Fenerbahces dhe kanë nisur kontaktet e para me Chelsea-n.
Për sulmuesin do të ishte një aventurë interesante transferimi te Fenerbahce, pasi do të stërvitej nga një prej trajnerëve më të mirë në botë, siç është Mourinho.
Ditët e ardhshme do të jenë vendimtare për të ardhmen e lojtarit shqiptar.