Kreu i prezencës së OSBE-së në Tiranë Michel Tarran u bëri thirrje palëve politike në vend që të zbatojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe të bëjnë të mundur votën e diasporës. Ai vë theksin te dialogu mes palëve dhe jo krijimin e një produkti të njëanshëm. Gjatë tryezës së përbashkët për procesin zgjedhor të vitit 2025 mes OSBE dhe KQZ, Tarran tha se ky konsensus duhet të bazohet në konsultime gjithëpërfshirës me të gjithë aktorët përkatës.
“Keni një sfidë ende të pazgjidhur, zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese duke përfshirë edhe çështjen e votimit nga jashtë vendit, siç e dini nuk ka standarde apo rekomandime nga OSBE ODIHR, prandaj i takon secilit shtet të zbatojë atë model që i përshtatet më mirë, sidoqoftë duhet të theksoj se çdo vendim duhet të jetë prej konsensusit të gjerë, ky konsensus duhet të bazohet në konsultime gjithëpërfshirës me të gjithë aktorët përkatës”, tha ai.
Megjithatë, përtej dialogut të OSBE kërkon, mazhoranca një ditë më parë ka hedhur një hap duke dorëzuar e vetme, pa dakordësinë e opozitës propozime në Kuvend për votën e diasporës. Kjo erdhi pasi grupi i dialogut për Reformën Zgjedhore dështoi duke mos sjellë një produkt konkret.