Nga Cesare Martineti, La Stampa
“Mélenchon ëndërron, por ai nuk do të jetë kurrë kryeministër!”. Jacques Attali është shumë i drejtpërdrejtë në ato që thotë, dhe shkon kundër mendimit mbizotërues të analistëve, sipas të cilit e majta e Frontit të Ri Popullor i fitoi zgjedhjet e së dielës.
Ekonomisti, historiani, eseisti i njohur edhe në arenën ndërkombëtare, tashmë 80 vjeç, ishte një nga këshilltarët më të besuar të presidentit socialist Francois Mitterrand në Elize.
Zoti Attali, a jeni i befasuar nga rezultati i këtyre zgjedhjeve të parakohshme?
Relativisht po, sepse prej disa ditësh, që kur u krijua një aleancë shumë e qartë antifashiste midis gati të gjitha partive të majta, ishte e qartë se Tubimi Kombëtar i të djathtës ekstreme nuk do të mund të fitonte. Dhe kjo që po shohim është konfirmimi i një aleance antifashiste, e cila ka ekzistuar gjithmonë në Francë.
Si gjithmonë, ju e deklaruat votën tuaj për të majtën. Ndiheni i kënaqur?
Jam i lumtur sepse u shmang rreziku fashist, por Franca gjendet në një situatë ku nuk mund të qeveriset normalisht. Për shkak se asnjë nga partitë nuk ka shumicën, shumë deputetë u zgjodhën jo për programin e tyre, por për të krijuar një bllok kundër kandidatit fashist. Për më tepër, shumë kandidatë të majtë u zgjodhën me votat e krahut të djathtë, dhe po aq shumë deputetë të krahut të djathtë u zgjodhën me votat e krahut të majtë.
Në sistemin mazhoritar nuk kanë shumë peshë votat që merren në proporcional. Çfarë përfaqëson tani parlamenti i ri?
Që francezët nuk duan një qeveri fashiste, dhe që sot Franca është më tepër e qendrës së majtë, megjithatë ajo refuzon si programin e majtë ashtu edhe atë të djathtë. Në fakt, e vetmja shumicë që do të kishte kuptim, do të ishte ajo me një pjesë të së majtës dhe qendrës. Por e majta është e bashkuar dhe unë nuk e shoh mundësinë se si dikush mund të de-solidarizohet me të majtën ekstreme pasi i ka dhënë jetë Frontit të ri Popullor.
Tani duhet të krijohet një qeveri koalicioni, siç ndodh në Itali apo Gjermani. A ju duket e mundur diçka e tillë?
Sot për sot jo. Është një situatë shumë e vështirë, dhe këto janë marrëveshje që kërkojnë kohë, pasi janë në kundërshtim me traditën politike franceze. Ndërkohë vendi do të duhet të qeveriset nga një qeveri për çështjet aktuale. Mund të kemi vazhdimin e qeverisë aktuale apo një qeveri teknike, e cila megjithatë nuk është një zgjidhje e mirë.
Jean-Luc Mélenchon doli i pari. Mendoni se mund të emërohet kryeministër?
Mélenchon përfaqëson vetëm veten e tij. Ai vazhdon të përsërisë se e majta ka fituar, por kjo nuk qëndron sepse siç e thashë shumë njerëz votuan për të majtën, vetëm për të përjashtuar marrjen e pushtetit nga Tubimi Kombëtar dhe jo për të mbështetur programin e të majtës. Mélenchon nuk do të jetë kurrë kryeministër dhe programi i së majtës siç përcaktohet nga Fronti i ri Popullor, nuk do të realizohet asnjëherë.
Në çdo rast, po jo pas këtyre zgjedhjeve, Mélenchon mund të ëndërrojë. Është normale që ai ta bëjë këtë, mund të thotë çfarë të dojë, por e bën këtë sepse synon t’i mbajë rreth vetes aleatët e tij politikë, t’i pengojë ata të kalojnë në aleanca të reja dhe të qeverisin me të tjerët.
Por a nuk mund të hyjnë socialistët e moderuar, si për shembull François Hollande, në një qeveri me koalicionin e qendrës së presidentit Macron?
Unë besoj se sot askush nuk mund të shkëputet nga Fronti Popullor, pasi kjo do të ishte një tradhti.
Në dritën e këtyre rezultateve, si e vlerësoni vendimin e presidentit Macron për shpërndarjen e parlamentit? A ishte një disfatë për presidentin?
Unë kam qenë kundër këtij akti, dhe sigurisht që nuk ndryshova mendje as pas rezultateve të 7 korrikut. Humbja mund të ishte shumë më e rëndë, nëse do të kishte fituar shumicën absolute Tubimi Kombëtar apo fronti i majtë. Por kjo gjë nuk ndodhi. Përkundrazi, mund të kemi një shumicë të së majtës realiste me qendrën. Por as kjo nuk do të ndodhë, pasi ata nuk janë gati të qeverisin së bashku.
A na treguan këto zgjedhje se Marin Lë Pen nuk do të jetë kurrë presidente e Francës?
Përkundrazi, sepse nëse partitë qeveritare që e penguan Tubimin Kombëtar t’i fitonte këto zgjedhje, qeverisin keq ose japin një shembull të keq politik gjatë tre viteve në vazhdim, Le Pen do të jetë në gjendje të fitojë thellë zgjedhjet presidenciale të vitit 2027.
Në Francë, Le Pen krahasohet shpesh me Giorgia Melonin e Italisë. A jeni dakord?
Ky krahasim nuk ka asnjë kuptim, pasi zonja Le Pen nuk ka asnjë lidhje me zonjën Meloni. Drejtuesit e Tubimit Kombëtar kanë qenë deri vonë për daljen e Francës nga BE, ashtu si Britania e Madhe me Brexit. Ajo është kundër Evropës dhe kundër Ukrainës. Prandaj nuk ka asnjë lidhje mes të dyjave.
Dhe a shihni ndonjë ngjashmëri midis Mitterrand dhe Macron?
Janë personazhe shumë të ndryshëm. Edhe situata politike është gjithashtu krejtësisht e ndryshme. Përderisa nuk do të ketë sërish një Parti Socialiste më të fortë se e majta ekstreme, nuk mund të triumfojë e majta si ideologji. Ky kishte leksioni i madh i Mitterrand.