Mes sulmeve të vazhdueshme ndaj SPAK që vijnë nga opozita, Shtetet e Bashkuara konfirmojnë mbështetjen për këtë strukturë të Posaçme si edhe kreun e saj Altin Dumani.
Tregues për këtë ishte vizita e disa gjyqtarëve dhe prokurorëve amerikanë në ambientet e SPAK, të cilët takuan Dumanin si edhe prokurorë të tjerë të SPAK.
“Shtetet e Bashkuara janë krenare që mbështesin SPAK dhe institucionet e tjera të drejtësisë të cilat po ndërtojnë një demokraci më të fortë për popullin shqiptar”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e bërë nga Ambasada Amerikane në Tiranë.
Referuar njoftimit të bërë nga Ambasada Amerikane në Tiranë, grupi përfshin Trina Higgins, Prokurore e SHBA-së për Distriktin e Utah; Kryegjyqtarin Robert Shelby nga Gjykata e Qarkut të Utah; dhe gjyqtaren Paige Petersen e Gjykatës së Lartë të Utah.
Ata nënvizuan se sa e rëndësishme është të ndjekësh penalisht me integritet dhe profesionalizëm për të luftuar korrupsionin, krimin e organizuar dhe pandëshkueshmërinë.