Greqia ka lënë pas polemikat politike dhe i ka ardhur në ndihmë fqinjit të saj, Shqipërisë, e cila po përballet me 2 vatra të mëdha flakësh në Dropull dhe Finiq.
Në kuadër të Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile, shteti grek ka sjellë dy avionë Canadair për shuarjen e flakëve. Ndihmë ka pasur edhe nga qeveria italiane dhe ajo kroate, për shkak se vatrat e zjarrit vijojnë aktive prej 2 ditësh dhe shuarje e tyre është shumë e vështirë.
“Dy avionë të tipit Canadair sapo nisën ndërhyrjen nga ajri për fikjen e flakëve në Dropull dhe Finiq. Avionët grekë, vijnë si mbështetje për Shqipërinë përmes Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile dhe i bashkohen përpjekjeve të Forcave tona të Armatosura, zjarrfikësve, punonjësve të emergjencave civile dhe strukturave vendore që prej 2 ditësh po luftojnë me flakët atje. Mirënjohje për gatishmërinë e treguar për të sjellë mjete ajrore edhe qeverisë italiane dhe asaj kroate”, njofton Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi.
Marrëdhëniet Greqi dhe Shqipëri janë konsideruar të ftohta për shkak të rastit Beleri, mirëpo përmes Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile, shtet fqinje zotohen që do të ndihmojnë njëri-tjetrit në rast se përballen me zjarre, tërmete apo fatkeqësi të tjera natyrore.
Si pasojë e zjarreve në Finiq e Dropull janë djegur dhjetëra hektarë tokë, teksa dy zjarrfikës kanë marrë djegie në trup.