Spanjë-Angli do të jetë finalja e madhe e Euro 2024, e programuar për t’u zhvilluar më datë 14 korrik në Berlin.
UEFA ka vendosur së fundmi gjyqtarin e finales, e cila i është besuar Francois Letexier. 35-vjeçari francez është një arbitër ndërkombëtar prej vitit 2017 dhe deri më tani ka gjykuar 65 ndeshje zyrtare në kompeticionet e UEFA-s.
Letexier në këtë Euro 2024 ka gjykuar tre ndeshje, dy në fazën e grupeve Danimarkë-Serbi si dhe ndeshjen e Shqipërisë ndaj Kroacisë të mbyllur me shifrat 2-2.
Ndërkohë, në raundin e 1/8-tave, Letexier gjykoi ndeshjen mes Spanjës dhe Gjeorgjisë ku “Furia e Kuqe” fitoi 4-1, ndërsa francezi ishte edhe në rolin e arbitrit të katërt në ndeshjen hapëse mes Gjermanisë dhe Skocisë në Mynih.
Tashmë, Letexier përgatitet për të ndarë drejtësinë në ndeshjen më të rëndësishme të kompeticionit, një sfidë e cila mund ta lartësojë edhe më shumë figurën e tij në futbollin europian.