SHBA do të rrisin arsenalin ushtarak për të mbrojtur partnerët e NATO-s në Evropë. Në Gjermani do të stacionohen armë me rreze të gjatë veprimi.
Duke filluar nga viti 2026 SHBA do të stacionojë përkohësisht në Gjermani raketa të tipit Tomahawk dhe armë të tjera me rreze të gjatë veprimi. Kjo u njoftua në një deklaratë të përbashkët të SHBA-së dhe të Gjermanisë, e cila u publikua në kuadër të samitit të NATO-s në Uashington.
Këto armë konvencionale kanë një “rreze shumë më të madhe veprimi se sa sistemet aktuale tokësore që ka në Europë”, thuhet në deklaratë. Tomahawks mund të godasin objektivat në një rreze prej mbi 2000 kilometrash.
Dislokimi i këtyre armëve është planifikuar të fillojë rreth një viti pas zgjedhjeve presidenciale në SHBA, që do të zhvillohen nëntorin e ardhshëm. Prandaj vendimi mund të anulohet, nëse zgjedhjet i fiton republikani Donald Trump.
Gjatë mandatit të tij në detyrë (2017 deri në 2021) Trump inicioi një reduktim të pranisë ushtarake amerikane në Gjermani, e cila më vonë u ndërpre kur në pushtet erdhi Presidenti aktual Joe Biden.
Madje që prej sulmit rus në Ukrainë Biden e ka rritur praninë e trupave amerikane në Gjermani dhe Evropë.