Dr. Bledar Kurti*
Atentati me armë ndaj ish-Presidentit Trump, njëherazi dhe kandidat për President në zgjedhjet e 5 nëntorit në SHBA, tronditi jo vetëm amerikanët por mbarë botën. E megjithatë, ishte një kronikë e një ngjarjeje të paralajmëruar.
Në politikë nuk ka rastësi. Asgjë nuk ndodh rëndom. Ky nuk është konstatim njerëzor e as opinion individual por një paradigmë dhe një e vërtetë historike. Ata që merren me politikë, ose më saktë, ata që bëjnë politika, e dinë shumë mirë.
Ishte një ngjarje e paralajmëruar pasi gjatë dekadës së fundit, SHBA ka qenë e zhytur thellë në një konflikt politik e social të paprecedentë. Gjatë kësaj dekade ndasitë politike nuk kanë qenë thjesht bindje apo qëndrime, por njëra palë e ka demonizuar palën tjetër deri në ekstrem.
Urrejtja, sulmi dhe mallkimi që masat e gjera popullore të njërës palë kanë ndërmarrë ndaj tjetrës zor se krahasohet me fanatizmin politik të ndonjë vendi tjetër.
Në shtetet liberale të SHBA, si Nju Jork, Kaliforni, etj, të shprehësh bindje konservatore apo republikane damkosesh si një qenie e padenjë për shoqërinë, shoqëruar me një diskriminim të pashoqë. Kjo ndasi politike dhe sociale është amplifikuar ekstremisht edhe nga media, e shkruar, vizive dhe “online.” Hollivudi, si institucion opinion-diktues, me përmasa globale, ka qenë i angazhuar maksimalisht për t’i thelluar edhe më shumë ndasitë politike.
Intelektualët dhe autorët e librave, edhe pse me ekspertizë në një fushë tjetër nga ajo politike, në çdo kapitull libri, në mënyrë tërësisht artificiale, kanë shprehur deklarata politike të njëanshme, e jo rastësisht librat e tyre renditeshin te New York Times Bestsellers. Universitetet janë tjetërsuar prej kohësh në mision e filozofi, duke mbajtur qëndrime të njëanshme politike, duke krijuar përçarje sociale te brezi i ri.
Ky koordinim përçarës ndaj një shoqërie të lirë si ajo amerikane është dëshmuar në të gjitha fushat e jetës, në sport, muzikë, te dramat e performuara në Broadway, besimet fetare, e deri te historianët të cilët arritën të guxonin e të zhbënin figurat e vetë etërve dhe themeluesve të kombit dhe shtetit amerikan si George Washington, Thomas Jefferson, etj, statujat e të cilëve u lyen me bojë të kuqe e u tërhoqën zvarrë me litarë në qafë.
Për ta përligjur të gjithë këtë konflikt të rreptë idealesh hyri në skenë edhe drejtësia. Gjykatat dhe prokuroria, në shumë raste, u kthyen në një krah të ekzekutivit duke e zhbërë parimin e ndarjes së pushteteve.
E gjithë kjo situatë dhe ky konflikt social që ka përjetuar SHBA gjatë viteve të fundit çoi edhe në aktin radikal të atentatit me armë ndaj Donald Trump. Një atentat i kryer jo vetëm nga dora e një individi por pasojë e një krize mbarë shoqërore dhe politike e cila është në një gjendje edhe më të keqe se ajo e viteve 1960-të, kur ndodhën katër vrasje të bujshme që tronditën Amerikën dhe mbarë opinionin publik: vrasjet e Presidentit John F. Kennedy (1963), Malcolm X (1965), Martin Luther King (1968), kandidatit për President, Robert Kennedy (1968).
Çfarë po ndodh në Amerikë nuk është aspak lajm i mirë për SHBA dhe botën. Ndërkohë që është i vetmi shtet që ka armatimet e gjeneratës së tretë, 80% të arit botëror, themeluese dhe sponsorizuese e organizmave kryesore në botë, po vetë-shkatërrohet nga ndasitë e brendshme. Dhe në një situatë gjeopolitike delikate, me konflikte të rënda në botë, një situatë e tillë vulos fatin në drejtimin e gabuar të shumë shteteve të tjera.
SHBA ka përgjegjësinë të jetë shembull edhe përtej kufijve dhe oqeaneve të saj sepse kur Amerika teshtin e gjithë bota ftohet. Dhe sot ajo po teshtin më fort se asnjëherë tjetër. Por, nëse shoqëria amerikane mbahet fort pas asaj që e karakterizon si shtet, lirisë dhe vlerave njerëzore epokale, ky do jetë vetëm një makth që do shuhet me një zgjim të ri.
*Profesor i Politikës Amerikane dhe Alumni i Departamentit Amerikan të Shtetit