Bota Nga Gjermania deri te Kina, reagime të tronditura ndërkombëtare pas sulmit kundër...

Nga Gjermania deri te Kina, reagime të tronditura ndërkombëtare pas sulmit kundër Donald Trump

Përpjekja për atentat kundër ish-presidentit amerikan, Donald Trump ka shkaktuar një valë reagimesh ndërkombëtare. Kancelari gjerman, Scholz u shpreh, se akte të tilla dhune kërcënojnë demokracinë.

Nga bota vijnë reagime të tronditura pas të shtënave kundër ish-presidentit amerikan, Donald Trump në një miting zgjedhor të dielën në Pensilvani. Kancelari gjerman, Olaf Scholz i uroi Donald Trumpit shërim të shpejtë dhe theksoi se “akte të tilla dhune kërcënojnë demokracinë”.

Në platformën X, Scholz shkroi, se “sulmi kundër kandidatit presidencial, Donald Trump është i neveritshëm. Unë i uroj shërim të shpejtë. Mendimet e mia janë tek personat që u goditën prej këtij atentati.”

Ministrja e Jashme gjermane, Annalena Baerbock i uroi po ashtu Trump shërim të shpejtë. Politikania e gjelbër theksoi se “dhuna kurrë nuk duhet të kthehet në një mjet të përballjes politike, pavarësisht se nga cila arsye. Zgjedhjet në demokraci fitohen me vota dhe jo me armë.”

Presidenti amerikan, Joe Biden reagoi menjëherë pas sulmit kundër rivalit të tij në zgjedhjet e ardhshme presidenciale dhe tha, se është mirënjohës të dëgjoj, se Trumpi është në siguri dhe se është në gjendje të mirë. “Lutem për familjen e tij dhe për të gjithë që ishin në mitin”, shtoi Biden. “Nuk ka vend për këtë lloj dhune në Amerikë. Ne duhet të bashkohemi si komb për të dënuar dhunën.”

Edhe presidenti Macron e dënoi dhunën dhe e quajti aktin e sulmit kundër Trump “një tragjedi për demokracitë tona”. Kurse presidenti polak, Andrzej Duda përpjekjen për vrasje të presidentit Trump e quajti “një moment shokues” edhe për botën, jo vetëm SHBA. Ky akt është një “moment shokues jo vetëm për Amerikën, por për të gjithë botën e lirë dhe demokratike”, shkroi Duda të dielën në platformën X.

Edhe nga Kina vijnë mesazhe mbështetjeje për ish-presidentin Trump. Presidenti, Xi Jinping ka shprehur mbështetjen dhe se është i prekur nga përpjekja për vrasje e Donald Trump, thuhet në një njoftim të Ministrisë së Jashtme në Pekin. Kina i ndjek “me vëmendje” zhvillimet rreth atentatit.

“Ky akt i tmerrshëm i dhunës politike në një tubim paqësor të fushatës nuk ka vend në Amerikë dhe duhet të dënohet unanimisht dhe me forcë”, tha kryetari republikan i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson.

Udhëheqësi i shumicës demokrate në Senat, Chuck Schumer, bëri të ditur se ishte i tmerruar nga ajo që ndodhi dhe u lehtësua kur mori vesh se Trump ishte i sigurt.