Kryesore Beleri lë qelinë, betohet nesër si eurodeputet

Beleri lë qelinë, betohet nesër si eurodeputet

Fredi Beleri ka lënë ambientet e burgut të Fierit, ku vuan dënimin me 2 vite heqje lirie. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve i ka miratuar një leje 5-ditore për të lejuar pjesëmarrjen e tij fizikisht në mbledhjen e Parlamentit Europian.

Ai është pritur jashtë ambienteve të burgut nga familjarët dhe makina e ambasadës greke. Beleri nuk është prononcuar për mediat vendase, por shkurtimisht ka folur për mediat greke që e presin në dalje të burgut.

“Dua t’ju falënderoj për mbështetjen gjatë gjithë këtyre muajve, jam i emocionuar, i lumtur, për pjesën tjetër do flasim në Athinë. Faleminderit për gjithçka”, tha Beleri për mediat greke.

Beleri udhëton së bashku me eurodeputetët e tjerë nga Athina drejt Strasburgut, ku më 16 Korrik do të bëjnë betimin. Sipas lejes së miratuar, ai ka kohë deri në orën 16:00 të 20 Korrikut për t’u rikthyer për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit në Shqipëri.

Drejtoria e Burgjeve ka kërkuar nga Beleri informacion të plotë, duke përfshirë garancinë e udhëtimit, dorëzimin e biletës vajtje-ardhje dhe akomodimin në hotel. Nëse do të qëndrojë më shumë se sa e lejon leja për shkak të zhvillimeve atje, do të duhet të informojë zyrtarisht të gjitha institucionet përkatëse, përfshirë edhe autoritetet lokale në Bruksel.

Beleri është dënuar nga Apeli i GJKKO-së me 2 vjet heqje lirie me akuzën e korrupsionit zgjedhor pasi u arrestua nga policia 2 ditë para zgjedhjeve të 14 Majit 2023. Në javën e parë të Qershorit, Beleri u zgjodh deputet i Parlamentit Europian me rreth 237 mijë vota, duke u renditur i katërti në listën me 7 fitues që garuan nën siglën e partisë në pushtet në Greqi, “Demokracia e Re”.