Fotografi fitues i çmimit Pulitzer, Doug Mills ka dhënë një intervistë për “CNN”, ku edhe tregoi sesi ka kapur foton që po bën xhiron e rrjetit pas atentatit të dështuar ndaj ish-presidentit Donald Trump.
Bëhet fjalë për foton, ku Trumpit i kalon plumbi shumë pranë veshit në momentin që ai u qëllua në mitingun në Butler, Pensilvani.
Në rrëfimin e tij për CNN, Mills tregoi se thjesht kishte bërë detyrën e tij, duke rrezikuar edhe jetën në një moment.
“Po mundohesha që t’i kapja një foto mes flamurit dhe podiumit. Kur ai bëri djathtas dhe dëgjova zhurmat. Mendova se ishte ndonjë makineri. Kur e pashë që kapi veshin dhe u ul poshtë thashë ‘O zot e qëlluan’. Po tentoja që të kapja një foto. Të gjithë po bërtisnin, ishte shumë kaotike. Nuk bëra gjënë më të sigurtë se vajta në skenë, por bëra atë që do bënin të gjithë fotografitë. Nuk dëgjuam asgjë, vetëm të bërtitura”, tregoi ai në rrëfimin për CNN.
Nga të shtënat u plagos dhe ish-Presidenti Trump, i cili mori një plagë në veshin e djathtë, si dhe dy persona të tjerë të cilët ndodhen ende në spital, ndërsa autori Thomas Matthew Crooks u ekzekutua nga agjentët e shërbimit sekret.