Kreu i SPAK, Altin Dumani, prezantoi në parlament këtë të hënë raportin e punës së Prokurorisë së Posaçme për vitin 2023.
Dumani u ndal gjerësisht te korrupsioni i funksionarëve publikë, ku tha se në vitin 2023 janë evidentuar shumë raste të abuzimit me fondet publike.
Kreu i SPAK, tha se përdoren procedura që legalizojnë përvetësimin e fondeve publike, të cilat më pas kalojnë në përdorim të personave juridikë, të cilët ndryshojnë shpesh aksionerët dhe emrat tregtarë.
“Lidhur me veprën penale të korrupsionit, hetimet penale të vitit 2023 tregojnë se korrupsioni përfshin veprime në dukje të ligjshme por që kanë si qëllim përfitimin e paligjshëm. Përdoren procedura që legalizojnë përfitimin nga fondet publike duke maskuar natyrën kriminale. Kjo ndodh shpesh dhe në mënyrë të organizuar duke përfshirë përdorimin e personave juridikë të cilët përfitojnë fondet publike të cilët shpesh ndryshojnë aksionerët ose emra tregtarë”, tha Dumani.
Sa i takon pastrimit të parave, kreu i SPAK tha se fenomeni është i përhapur kryesisht në Tiranë dhe zona turistike, ku paratë e paligjshme investohen në pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme.
“Parashtroj para jush disa të dhëna për sa i përket pastrimit të parave nga krimi i organizuar. Investime në prona të luajtshme dhe të paluajtshme, mbeten mënyra kryesore për pastrimin e parave në Shqipëri. Veçanërisht në apartamente, ndërtesa dhe njësi shërbimi në Tiranë, por dhe zona turistike, si Vlora Durrësi dhe Lezha. Gjithashtu një numër i konsiderueshëm parash dyshohet se depozitohen në llogari bankare në emra shoqërish tregtare ose në emra të të afërmve të personave të dyshuara.
Kemi pasur dhe një rast ku organizatat e huaja kriminale kanë tentuar pastrimin e parave në Shqipëri përmes skemave të sofistikuara. Por skema është zbuluar dhe shuma e konsiderueshme e parave është sekuestruar”, tha Dumani.
Sakaq Dumani shtoi se “korrupsioni i funksionarëve të drejtësisë është evidentuar në Durrës, Shkodër, Tiranë, Laç dhe Fushë-Krujë”.