Pas 14 vitesh të mbushura me suksese dhe dështime, Thomas Muller vendos zyrtarisht të tërhiqet nga skuadra kombëtare gjermane. Lajmin e ka konfirmuar vetë numri 13, përmes një postimi në rrjete sociale.
Ndeshja e tij e fundit ishte humbja kundër Spanjës në çerekfinalet e Euro 2024, ku Muller u aktivizua në fund të pjesës së dytë. Në total ai ka luajtur 131 ndeshje me Gjermaninë, duke shënuar 45 gola.
Ai u përfshi në skuadër për Kampionatin Europian por luajti vetëm 56 minuta në total, duke u përdorur si zëvendësues nga Julian Nagelsmann.
Suksesi i vetëm me Gjermaninë është fitimi i Kupës së Botës në vitin 2014 në Brazil. Gjatë atij turneu, Muller shënoi 5 gola, po aq sa kishte realizuar katër vite më parë në Afrikën e Jugut, duke u futur në listën e golashënuesve më të mirë të historisë së turneut.
Nuk dihet ende nëse Muller do të vazhdojë të jetë pjesë e Bayern Munchen në të ardhmen, por i ka mbetur edhe një vit nga kontrata aktuale.
Në mediat gjermane është raportuar shpesh se ai shihet nga drejtuesit e klubit bavarez si një figurë e përshtatshme për të marrë një rol teknik në klub pasi të lërë futbollin e luajtur.