Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka liruar nga qelia Erzen Breçanin, i cili u arrestua në kuadër të operacionit “Metamorfoza”.
Apeli ka ndryshuar masën e sigurisë për Breçanin, duke caktuar “arrest në shtëpi”.
Ish-drejtuesi i lartë i Policisë së Shtetit u arrestua në vitin 2023 pas një operacioni të SPAK me dyshimet se ka investuar para të cilat janë krijuar nga aktiviteti i paligjshëm i trafikut të drogës kryer nga djali i tij, Eralb Breçani, si dhe ka përkrahur autor krimesh duke dhënë informacione.
Erzen Breçani i pati mohuar akuzat duke thënë se nuk kishte shkelur ligjin dhe se ishte në qeli prej djalit.
Për këtë operacion, SPAK lëshoi 11 urdhër-arreste për Besmir Murati, Bujar Ajeti alias Gërmizi, shefin e Krimeve në Komisariatin nr. 6 në Tiranë, Dedan Gjoni, ish-zv/drejtorin e Rendit në Policinë e Tiranës, Erzen Breçani, djalin e tij, Eralbi Breçani, Jonida Babameton, oficeren e Drejtorisë së Kufirit, Artan Sulejmanin, Albert Prengën, Bajram Grabova, Ismail Zeneli, Ervin Matën.
Gjatë aksionit u arrestuan edhe Dedan Gjoni ish-shefi i krimeve në Komisariatin nr. 6, Bujar Ajeti dhe Besmir Murati. Të tjerët vijojnë në kërkim.
Referuar dosjes së SPAK, Gjoni ka siguruar kushtet për vrasjen e dy vëllezërve, ekzekutimi i të cilëve kërkohej nga Ismail Zeneli. Në këtë plan vrasje ishte përfshirë gjithashtu edhe shtetasi Bujar Ajeti.
Bashkë me Muratin ata dyshohen gjithashtu edhe për trafik të lëndëve narkotike nga Amerika Latine drejt BE.