Vendimin e 11 qershorit, Lulzim Basha e ka cilësuar si një marrëveshje të re mes Edi Ramës dhe Sali Berishës për një mandati të ri katërvjeçar në këmbim të vulës.
Kreu i demokratëve euroatlantikë deklaroi gjatë një konferencë për mediat se ai dhe grupimi që ai drejton do të marrin pjesë në zgjedhjet e pranverës së 2025.
“Pa diskutim që po. Kjo është përtej çdo dyshimi…Ne do të jemi formacioni me listën e plotë të kandidatëve për deputetë. Jemi tashmë formacioni politik me program të shpallur. Pra, në këtë aspekt kemi treguar vendosshmëri, kemi treguar besueshmëri, kemi treguar produkt në krahasim edhe me partinë që qeveris vendin, e jo më me të tjerët.”
Dhe, nëse deri atëherë drejtësia nuk do të ketë zgjidhur çështjen e vulës, tha Basha, atëherë mund të shihet çdo opsion që ofron Kodi Zgjedhor, përfshirë këtu edhe krijimin e një partie të re.
“Prej 14 qershorit vendimi është i qartë. Ne do të bëjmë rekurs dhe në çdo rast do të jemi në zgjedhje. Sigurisht nëse drejtësia mohohet, ose nuk jepet në kohë, ne do të shfrytëzojmë çdo hapësirë tjetër të Kodit Zgjedhor, duke përfshirë edhe atë që sapo përmendët për të qenë si alternativë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.”
Ndërsa, në zgjedhjet për bashkinë Himarë, grupimi i Lulzim Bashës nuk do të marrë pjesë në garë.