Artan Hoxha ka folur për Ervis Martinajn, i cili ende rezulton i zhdukur dhe shteti shqiptar nuk ka një përgjigje se çfarë ndodhi me të.
I ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit”, Hoxha tha se Martinaj “revolucionarizoi” botën e krimit në Shqipëri, duke bashkuar krimin, biznesin dhe politikën, ndërsa u ndal te përplasjet e tij të forta me grupet rivale, me ish ortakët e tij, me biznesmenë të fuqishëm madje edhe me politikën.
“Bëhen dy vjet në datën 9 gusht, nga momenti kur ka qenë komunikimi i fundit i Ervis Martinajt, siç është e provuar, me celular. Nga ai moment, del një qelizë 30km në vijë ajrore nga banesa e tij në Fushë Kuqe, kaq është distanca, që është provuar deri tani dhe nga aty e mbrapa nuk ka kontakt. Kemi të bëjmë me ato që kriminalistët i quajnë gati krime të përkryera.
Ky personazh u bë kaq i rëndësishëm për shkak të efektit që ai pati. Është kriminel atipik. Ishte një biznesmen që u bë gangster. Ervis Martinaj pati impakt të rëndësishëm, sepse bëri evolucion në botën e krimit të organizuar në Shqipëri, për shkak të mënyrës që përdori për t’u ngjitur në majë, për të korruptuar agjencitë e zbatimit të ligjit, për të miksuar krimin e organizuar, biznesin dhe politikën. Kjo e bëri atë të rëndësishëm. Në rast se fillesat i pati gjatë qeverisjes së PD, ai u bë më i fuqishëm dhe më potent në terren gjatë kohës kur në pushtet erdhi PS.
I mbijetoi edhe ndryshimit të pushtetit. Kur ka ndryshim pushteti ka ndryshim edhe në botën e krimit. Ervis Martinaj është njeri që ndryshe nga gangsterët e tjerë, ishte sponsor i rëndësishëm i të djathtës.
Ishte atipik sepse gangsterët e atij niveli, kur arrijnë një pozicion të rëndësishëm dhe dominues në territor, mundohen t’i shmangin daljet dhe kontaktet e tyre. Ai ishte shumë i dukshëm, me kontakte të mëdha politike, shoqërore, në media, të gjitha. Pra e kishte shumë të rëndësishme daljen e tij publike. Ky është një nga faktorët, pse data 9 gusht 2022, merret si datë… Nga ai moment nuk ka ndodhur me asgjë.
Për të kuptuar një bos të krimit të organizuar, shikoni kundërshtarët e tij. Në moment që kundërshtarët e tij janë relaksuar, janë rikthyer në terren, kanë ulur nivelin e sigurisë, kanë filluar aktivitetin lirisht, do të thotë që ose e kanë asgjësuar kundërshtarin ose kanë bërë pakt. Në rastin konkret, aleancat që tentoi të bënte Ervis Martinaj dhe intrigat në të cilat ai u përfshi dhe bëri armiq të gjithë ortakët e vet, njerëzit më të rëndësishëm të botës së krimit në Shqipëri, vëllezërit Duka që kishin ndarë bashkë gjithçka, por shikoni, kur Martinaj u vendos në Fushë Kuqe, qarku i Lezhës u bë qarku më problematik në vend.
Kontaktet që vendosi në Shkodër, Mamurras, Burrel, në zonën e Fushë Krujës, e kthyen në një gjenerator të një situate shumë të rëndë kriminale. Martinaj korruptonte agjencitë e zbatimit të ligjit. Duke kontrolluar lojrat e fatit, ai nuk e ka patur kurrë problem të ketë sasi të mëdha të parave kesh, mund të korruptosh çdo zyrtar.
Lojrat e fatit pas vitit 2018, nuk mund të funksionojnë pa policinë dhe shërbimin informativ. Ai e kishte mbyllur këtë gjë. Ishte sponsorizues i madh në fushata elektorale.
Ajo SMV e famshme e Elbasanit, është vepër e Ervis Martinaj, njerëzit dhe financimet e tij dhe diskutojmë për atë djalin që ngeli (Arbër Paplekaj), që ishte vërtet profesionist dhe u gjend në vendin e gabuar.
Në zgjedhjet e 2021, nuk di që Edi Rama të ketë përmendur me emër ndonjë bos krimi, asnjëherë, përmendi vetëm njëherë Çapjat. I vetmi që ka përmendur është Ervis Martinaj, tha “ai drejtori i lojrave të fatit, ne e dimë kush është në atë makinë, sa e ka targën”. Nuk është në stilin e Ramës të përmendë dhe sulmojë personalisht. Martinaj ishte i vetmi që ai e atakoi personalisht. E gjithë kjo përplasja e tij me biznesmenë të fuqishëm në vend, përplasja me grupe rivale, e bënë të ishte me kaq impakt.
Momenti i zhdukjes së tij, jam me këtë version që ai është prerë në besë, është ekzekutuar dhe kufoma… Krimi më perfekt është ai që nuk ka as kufomë dhe as armë. Sot kemi parë plot raporte, dëshmi, operacione kërkimi, në zona ku mendohej se mund të jetë groposur kufoma, apo fshehur makina. Por, deri në këto momente, edhe nga premtimet e kryeministrit, ndodhemi para faktit të kryer, kemi në SPAK që ka nxjerrë dy urdhër arresti për Ervis Martinajn. Dhe Prokurorinë e Kurbinit, që heton për vrasjen dhe zhdukjen e kufomës së Martinajt.
Në Shqipëri u kalua në një stad tjetër të krimit të organizuar”, tha Hoxha.