Aktualitet Katër vatra aktive zjarri në vend, kritike situata në Mat, ndërhyn “Cougar”

Katër vatra aktive zjarri në vend, kritike situata në Mat, ndërhyn “Cougar”

Katër vatra aktive zjarri janë aktualisht në të gjithë territorin e vendit. Ka qenë ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi i cili ka konfirmuar se zjarrfikësit janë në lutë me flakët në Balgjaj në fshatin Kurdari, në Mat, në Buza Dede mbi fshatin Gurë-Lurë si edhe midis malit të Xhyrës dhe njësisë administrative Qukës në bashkinë e Prrenjasit.

Situata vijon të jetë problematike në Mat, ku për shkak të terrenit të vështirë, në ndihmë të forcave zjarrfikëse ka shkuar edhe helikopteri Cougar.

“Problematike mbetet situata e zjarrit në Balgjaj në fshatin Kurdari. Forcat operacionale nën koordinimin e Agjencisë së Mbrojtjes Civile po vijojnë të mbajnë nën kontroll situatën, për të shmangur rrezikun pranë një stani me bagëti e dhjetëra koshere bletësh.

Në fshatin Madhesh, njësia administrative Ulëz në Mat zjarri i rënë ka marrë përmasa të menjëhershme dhe po avancon në drejtim të fshatit Stojan. Veç forcave operacionale në terren ka shkuar në ndihmë edhe helikopteri Cougar.

Vijon ndërkaq edhe operacioni për shuarjen e flakëve në vatrën e zjarrit të rënë në Buza Dede mbi fshatin Gurë-Lurë, ku flakët janë pranë liqeneve të Lurës.

Era e fortë ka vështirësuar aksionin për shuarjen e zjarrit edhe në vatrën e regjistruar një ditë më parë në midis malit të Xhyrës dhe njësisë administrative Qukës në bashkinë e Prrenjasit.

Të gjitha forcat operacionale janë shpërndarë me grupe në zona të ndryshme për të krijuar një perimetër për të ruajtur vijën e zjarrit ekzistues dhe për të fikur çdo aktivizim në kufijtë e zjarrit dhe në thellësi të tij”, njofton Peleshi.