Gjykata e Lartë ka prishur vendimin e Gjykatës së Apelit të Durrësit që liroi nga qelia Florenc Çapjan, të akuzuar për vrasjen e mbetur në tentativë ndaj ish-policit Fadil Mema, ngjarje e ndodhur në Elbasan në vitin 2006.
Trupa e gjykimit e përbërë nga Ilir Panda, Sokol Binaj dhe Sandër Simoni shqyrtuan rekursin e prokurorisë, që kundërshtonte pushimin e çështjes ndaj Florenc Çapjas të dhënë nga gjyqtari Tomor Kullolli më 20 Nëntor 2019.
Vendimin për pushimin e çështjes e kishte dhënë fillimisht Gjykata e Elbasanit, vendim që u la më pas në fuqi edhe nga Apeli i Durrësit.
Por vendimi i fundit i Gjykatës së Lartë urdhëron rigjykimin për Florenc Çapjan për këtë çështje.
Kujtojmë se Florenc Çapja është aktualisht i shpallur në kërkim ndërkombëtar pas hetimeve të SPAK që kërkon dënimin e tij me 25 vite burg për një tjetër ngjarje, për vrasjen e babë e bir, Nezir e Gentian Beqirit, në Elbasan në vitin 2012.