Bota Ish-agjentja e CIA-s spiunonte te Koreja e Jugut në këmbim të çantave...

Ish-agjentja e CIA-s spiunonte te Koreja e Jugut në këmbim të çantave luksoze

Një histori e denjë për filmat e Hollywood me spiunë. Dy vjet pasi la punën e saj në qeverinë amerikane, në vitin 2013, Sue Mi Terry u rekrutua nga agjentë të Koresë së Jugut.

Në këmbim të informacioneve, ish-analistja e CIA-s dhe zyrtarja e Shtëpisë së Bardhë mori veshje dhe çantat të shtrenjta nga markat Bottega Veneta, Louis Vuitton dhe Dolce & Gabbana, por edhe darka në restorante luksoze dhe sende të tjera me vlerë.

Shërbimet e saj për Korenë e Jugut zgjatën për gati një dekadë, pretendohet në një padi të ngritur ndaj Terry. Sipas dokumentit prej 31 faqesh të paraqitur në gjykatën federale në Nju Jork, Sue Mi Terry dështoi të regjistrohej si agjente e huaj dhe zbuloi informacione të qeverisë amerikane për llogari të inteligjencës së Seulit.

“Nën udhëzimet e përfaqësuesve të Qeverisë së Republikës së Koresë, (Sue Mi) Terry mbrojti pozicionet strategjike të Republikës së Koresë…ajo i komunikoi informacione inteligjencës së Republiksë Koresë dhe u lehtësoi përfaqësuesve të qeverisë së Republikës së Koresë aksesin tek përfaqësuesit e qeverisë së SHBA”, thuhet në dosje.

Dosja përfshin pamjet e kamerave të sigurisë që tregojnë ish-agjenten e CIA-s duke takuar kontaktet e saj koreano-jugore në dyqanet e Uashingtonit për të marrë çantat luksoze.

Ajo gjithashtu dyshohet se ka qenë e ftuar në restorante me “shumë” yje Michelin dhe se ka marrë 37,000 dollarë pagesa, përmes një think tank-u ku ajo punonte.

“Këto akuza janë të pabaza dhe shtrembërojnë punën e një analisteje akademike të njohur për pavarësinë e saj dhe vitet e shërbimit të saj në Shtetet e Bashkuara”, u përgjigj avokati i Terry për mediat amerikane.

Sue Mi Terry është një shtetase amerikane e natyralizuar, e lindur në Seul dhe e rritur në Virxhinia dhe Hauai.

Ajo shërbeu si analiste e lartë e CIA-s nga viti 2001 deri në 2008 dhe si drejtoreshë e Shtëpisë së Bardhë për çështjet koreane, japoneze dhe oqeanike nga viti 2008 deri në 2009 nën presidentin republikan George W. Bush dhe presidentin demokrat Barack Obama.