Presidenti serb Aleksandër Vuçiç ka reaguar për ngjarjen e ndodhur në qytetin e Loznicës, ku sipas autoriteteve të Beogradit, 33-vjeçari kosovar Artan Hajziri ka vrarë një polic dhe ka lënë të plagosur rëndë një tjetër.
Përmes një telegrami, Vuçiç i ka shprehur ngushëllime familjes dhe kolegëve të policit Nikolla Krsmanoviç.
“Me dhimbje dhe pikëllim të thellë mora lajmin për humbjen tragjike të djalit dhe vëllait tuaj, polici trim Nikolla Krsmanoviç. Përkushtimi i tij ndaj shërbimit kontribuoi pa masë në ruajtjen e sigurisë dhe paqes në vendin tonë. Humbja e tij është e pariparueshme, jo vetëm për ju, familjen e tij, por edhe për mbarë vendin tonë”, shkruan Vuçiç.
“Nikolla Krsmanoviç ishte një hero i vërtetë, i cili jetën e tij ia kushtoi mbrojtjes së të tjerëve, dhe guximi dhe profesionalizmi i tij e udhëhoqën në të gjitha sfidat dhe rreziqet që kishte shërbimi i tij. u lutem pranoni ngushëllimet e mia më të sinqerta. Ju ngushëlloftë forca dhe guximi që tregoi Nikolla në jetën e tij në këto kohë të vështira. Serbia nuk do ta harrojë kurrë sakrificën dhe përkushtimin e tij vetëmohues ndaj detyrës”, shtoi Presidenti serb.
Sa i përket ngjarjes, incidenti ka ndodhur rreth orës 00:55 në Loznicë. Nikolla Krsmanoviç dhe kolegu i tij Vjekoslav Iliç kanë dashur të ushtrojnë kontroll në automjetin e Hajzirit në pikën e kontrollit të Lipnički Šor.
Policët e stacionit kufitar të Trbushnicës kanë ndaluar Mercedesin me të cilin udhëtonte 33-vjeçari dhe një tjetër person. Hajziri, i cili rezulton me nënshtetësi gjermane ka dalë nga makina dhe ka qëlluar me pistoletë, duke e goditur Krsmanoviç në gjoks, ndërsa Iliçin në shpatull dhe më pas është arratisur nga vendngjarja.
Reagon Kosova
Ministria e Jashtme e Kosovës ka dalë me deklaratë për mediat pasi autoritetet serbe pretendojnë se një polic serb është vrarë nga një kosovar.
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, përmes Zyrës Ndërlidhëse në Beograd, po ndjek nga afër zhvillimet në lidhje me pretendimet e Ministrit të Brendshëm të Serbisë, Ivica Daçiç për një incident në magjistralen afër Loznicës në Serbi, ku pretendon që ka mbetur i vrarë një polic serb dhe i përfshirë në këtë rast sipas tij është një shtetas i Republikës së Kosovës. Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës do të mbajë të informuar opinionin publik për këtë rast dhe apelon te mërgimtarët dhe qytetarët e Kosovës që të rrisin kujdesin gjatë kalimit nëpër Serbi dhe sipas vlerësimit të situatës të shmangin lëvizjen përmes territorit serb”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Jashtme të Kosovës.