Ish-presidenti amerikan, Barack Obama, bëhet demokrati i radhës që kërkon tërheqjen Joe Biden nga gara. Sipas Washington Post, Obama beson se 81-vjeçari duhet “të konsiderojë seriozisht qëndrueshmërinë e kandidaturës së tij”.
WP i referohet disa burimeve pranë ish-presidentit Obama, i cili nuk reagoi pas botimit të lajmit.
Obama ka qenë në krye të Shtëpisë së Bardhë gjatë viteve 2009-2017, kohë gjatë të cilës Biden ka shërbyer si zv.president.
Obama është një nga njerëzit më me ndikim në Partinë Demokratike. Ai bëhet kështu zëri më i fuqishëm që i bashkohet një kori në rritje të demokratëve që kërkojnë tërheqjen e Biden, pas debatit katastrofik me Donald Trump.
Presioni i demokratëve për tërheqjen e Biden po shtohet.
Lideri i shumicës demokrate në Senat, Chuck Schumer, dhe ai i pakicës në Dhomën e Përfaqësuesve, Hakeem Jeffries, raportohet se janë takuar me Biden ditët e fundit për të paralajmëruar se kandidatura e tij kërcënon perspektivat e partisë së tij në zgjedhjet e nëntorit.