Ka përfunduar takimi i grupit të dialogut dhe parimisht palët kanë rënë dakord për votën e diasporën.
Oerd Bylykbashi, nga Partia Demokratike, u shpreh pas takimit se ka dakordësi për votën e diasporës, duke thënë se çdo shqiptar me një adresë jashtë vendit do të ketë mundësinë për të votuar.
“Nuk mund të ketë dy kategori shqiptarësh në emigracion, ata që janë në mënyrë të ligjshme dhe ata që janë në mënyrë të paligjshme. Kushdo që është jashtë Shqipërisë, por ka një dokumentacion minimal dhe një adresë, do të kenë të drejtën e votës. Të gjithë shqiptarët që kanë një adresë dhe mund të lidhen me KQZ do të kenë të drejtën e votës. Unë gjykoj se kjo është një arritje e rëndësishme. Do të shohim detajet e fundit nga ekspertët”, tha Bylykbashi.
Më tej, ai u shpreh se pavarësisht dakordësisë për votën e diasporës, reforma zgjedhore është bllokuar nga PS, sa i përket rekomandimeve të OSBE-ODIHR.
“Detyrimi është për të arritur në rezultat. Keq ardhje që PS bllokoi sërish reformën zgjedhore sa i përket rekomandimeve të OSBE-ODIHR. Këtu nuk trajtohen as marrëveshja e majit 2020. Kjo çështje mbetet dhe do të vazhdojë të jetë në agjendën tonë të mëtejshme”, tha Bylykbashi.
Ndërsa Damian Gjiknuri deklaroi para mediave se përgjithësisht me opozitën diskutuan rreth detajeve teknike për të pasur një proces votimi me integritet për shqiptarët që jetojnë jashtë vendit.
Sipas Gjiknurit, vota e diasporës, tashmë nuk është më çështje debati politik, por mbeten për t’u sqaruar vetëm detajet teknike.
“Në parim, një gjë që duhet ta theksojmë është se mund të jemi shumë afër realizimit të kësaj gjëje nga pikëpamja legale, pra rënies dakord sa i përket projektligjit pasi këtu kemi futur të gjitha kategoritë që për një arsye ose një tjetër, jetojnë për një kohë të caktuar jashtë vendit.”
Ndërsa, sa i përket herësit, siç deklaroi edhe përfaqësuesi i opozitës Oerd Bylykbashi konsensus nuk ka ende.
Gjiknuri nga ana tjetër u shpreh se sot për herë të parë dëgjuan nga opozita që pala e tyre është dakord për një kompromis që i afrohet formulës kushtetuese.
“Të një liste e cila është mikse. Një pjesë e mbyllur siç e parashikon Kushtetuta dhe pjesa tjetër, pa prag apo pa herës.”
Propozimin e opozitës, tashmë socialistët thonë se do ta konsultojnë me ekspertët.