Debutimi i Antonio Conte si trajner i Napolit do të ndodhë në një miqësore me ekipin kampion të Shqipërisë.
Është klubi italian që konfirmon përmes zyrës së shtypit se miqësorja që ishte parashikuar të luhej më 28 korrik kundër Adana Demirspor është anuluar dhe klubi turk do të zëvendësohet nga Egnatia.
Sfida mes napolitanëve dhe rrogozhinasve do të realizohet vetëm tre ditë pas sfidës së vlefshme për turin e dytë të Conference League, që Egnatia luan kundër Vikingurit më 25 korrik në Rejkjavik.
Ndeshja miqësore do të luhet në orën 20:00 në stadiumin “Teofilo Patini”.
“SSC Napoli njofton se ndeshja e parë miqësore e kampit stërvitor në Castel di Sangro të dielën më 28 korrik në orën 20:00 nuk do të luhet kundër Adana Demirspor pas problemeve nga ana e klubit turk, por kundër KF Egnatia – klubi kampion në krye të kampionatin shqiptar. Të gjithë ata që kanë blerë dhe do të vazhdojnë të blejnë Napoli Summer Pass në OneFootball do të kenë automatikisht akses në ndeshjen miqësore Napoli-KF Egnatia. Ndryshimi i ndeshjes në platformë do të bëhet në ditët në vijim”, njofton klubi i Kaltër.