Ish-shefi i Shërbimeve sekrete dhe diplomati i njohur, Irakli Koçollari tregon në “Top Talk” me Juli Xhokaxhi në Top Channel ngjarjet intensive të vitit 1987 për abrogimin e ligjit të luftës nga Greqia.
Ai thotë se Papandreu, kryeministri i kohës, tentoi ta abrogonte atë, por u përball me valën e fortë të reagimit qytetar, të nxitur përmes ekstremit të djathtë.
Koçollari flet edhe për djegien e ambasadës shqiptare në Athinë dhe reagimin e Tiranës zyrtare.
Irakli Koçollari: Në vitin 1987 kam qenë diplomat në Athinë. Në atë kohë është bërë një përpjekje shumë intensive që Greqia ta hiqte ligjin e luftës. Në 1981-82 sa kishin ndodhur ngjarjet në Kosovë. Ne nuk kemi pasur genocide të atyre përmasave sa ka pasur popullsia shqiptare në veri.
Kryeministri i Greqisë në atë ka qenë i majti Papandreu. Ai ishte më mendjendritur. E majta greke ka qenë më e qartë në raport me Shqipërinë.
Edhe brenda të djathtës greke nuk pajtohen. Atë kohë, pra në 1987, Papandreu mori iniciativën e madhe për të abroguar ligjin e luftës dhe duke ditur që do kishte reagim nga djathta dhe nuk do pranohej, ata bënë kalkulimet e tyre.
Dekreti në atë kohë për shpalljen e ligjit të luftës ishte dekret mbretëror, pra jo vendim parlamenti. Juristët atëherë gjykuan që nëse do kalonte në Parlament nuk përputhej plotësisht dhe menduan që në Parlament edhe mund të mos e kalonin dot për shkak të numrave. Në atë kohë u përgatit opinioni nga e djathta ekstreme dhe u mbushën rrugët e Athinës me shkrime anti-shqiptare. Në atë kohë bënë veprime barbare edhe ndaj ambasadës shqiptare atje, i vunë zjarrin. Shumë gjëra nuk janë thënë, për të ruajtur një statuquo pacifiste të marrëdhënieve të ngrohta mes dy vendeve, duke parë se çfarë përpjekjesh bënte qeveria e asaj kohe.
Pala jonë dërgoi mesazhe jo publike, për të mos e vënë palën greke mes dy zjarreve. Ata e përpiluan ligjin, e njoftuan palën tonë që e kemi abroguar me vendim të Këshillit të Ministrave, por nuk u shpall në Fletoren Zyrtare, çka do të thotë që mbeti e padeklaruar si e tillë juridikisht.