Nga Çapajev Gjokutaj
Nuk e njoha fare, megjithëse po e shihja me një farë kureshtje: një siluetë plaku që çapitej gërmuq në rërën para kafes, këmbën e majtë pothuajse e hiqte zvarrë. Kohët e fundit, gati-gati instinktivisht kundroj çdo të moshuar që ndesh, kudo që të jem. Dhe hera herës vras mendjen nëse kjo është dëshmi empatie.
Vërtet hyj në lëkurën e tyre, përjetoj vështirësitë që kanë në ecje, dridhjet e gjymtyrëve, ngadalësinë në të folur, përhumbjen në vështrim dhe cene të tjera të moshës, por jo rrallë më ngjan se ndjej më shumë pasiguri e frikë për veten time nesër, sesa dhembshuri e përdëllim për të sotmen e tyre.
Ndërkohë silueta qe afruar dhe, me një lloj habie dallova që ishte Gonia, shok fëmijërie. Kishim 5-6 vjet pa u parë, po kishte ndryshuar sa s’thuhet. E ftova të pinim ndonjë gjë dhe ashtu ulur, me vështrimin nga deti shkëmbyem informacionet e para.
Vapë e madhe, më tha kur u krijua një pauzë.
Lere mos e nga, ia ktheva. E thoshte mirë njëri në fejsbuk: ky s’është behar, është krematorium.
Buzëqeshi dhe aty për aty ma priti: Krematorium, po demokrat ama. I merr njerëzit më radhë, pa pyetur për rracë e kombësi.
Fizikisht qënka rrënuar, po mendërisht qënka zigj, mendova.
Vapë ka qënë gjithë këto ditë, po mbrëmë ishte ç’ishte, nisi të më tregonte. Deri nga ora tre e mëngjesit nuk vura gjumë në sy. Kur nisi të frynte pak, bëra ndonjë orë gjumë. Dhe, do ti?, U zgjova i çlodhur e i freskët si rrallë herë.
Djalë ke mbetur, e merr veten pas një ore gjumë, i thashë me një lloj admirimi.
Jo s’qe gjumi, ma ktheu, ishte ëndrra. M’u bë se isha te shtëpia e dikurshme, djalë i ri. Në cep të avllisë, nën manin e lunxhit, ishte ulur im atë dhe usta Jani. Bënte vapë, burrat flisnin e fshinin djersët, ndaj u ngrita, shkova te pusi, lëshova kovën dhe u solla një kanë me ujë të ftohët. Flori djalë ke, i tha tim eti usta Jani, i hëngshim dasmët! Im at bëri buzën në gaz dhe unë u bëra me krahë.
Ai brez kishte burra që s’vijnë më, vazhdoi Gonia pas një pauze, mjafton t’i shohësh një copë herë në ëndërr dhe të bëjnë të ndihesh djalë.
Bëra t’i shpjegoja se s’qenë pleqtë po freskia e mëngjesit që, ardhur pas një nate zheg, i kishte sjellë dhe ëndrrën dhe çlodhjen. Por në çast ktheva mëndje. Lere ta besojë përderisa e bën të ndjehet mirë, mendova. Ëndrra del më e dobishme se realja e shkencorja. Natyrisht, në disa raste…