Policia e Elbasanit ka sqaruar se shpërthimi në makinën e vëllezërve Mine në Gramsh që ndodhi pasditen e së dielës, nuk u shkaktua nga tritol i vendosur në mjet.
Sipas ekspertizës, ka rezultuar se vetë vëllezërit kishin në kroskotin e mjetit një lëndë plasëse të dyshuar “amonit malor” me fuqi të ulët veprimi, që shpërtheu si pasojë e nxehtësisë. Kjo lloj lënde plasëse përdoret zakonisht dhe për peshkim
Kështu, shpërthimi në mjet nuk po hetohet për ngjarje kriminale.
Njoftimi i Policisë Elbasan:
Në lidhje me informacionin e dhënë për një shpërthim të ndodhur në lagjen “Xhile Liçi”, Gramsh, në automjetin tip “Ford Focus”, që drejtohej nga shtetasi A. M., gjatë kohës që automjeti ka qenë në lëvizje dhe për pasojë mbetën të dëmtuar dy vëllezërit që udhëtonin në këtë automjet, ju informojmë se:
Për sqarimin dhe dokumentimin e këtij rasti u ngrit një grup i posaçëm hetimor dhe në vendngjarje shkoi edhe njësia antieksploziv e Repartit Special Renea, për të kryer ekzaminime të mekanizmit e rrethaneve qe kishin ndikuar në shpërthimin e ndodhur në automjet.
Në përfundim të veprimeve të para, rezultoi se nuk ka pasur shpërthim nga jashtë të automjetit (pra nuk kemi të bëjmë me lëndë eksplozive) por dyshohet se drejtuesi i automjetit ka pasur në kroskotin e automjetit lëndë plasëse të dyshuar Amonit Malor, me fuqi të ulët veprimi, lëndë e cila dyshohet se ka shpërthyer për shkak të nxehtësisë.
Nga tërësia e veprimeve të kryera rezulton se kemi të bëjmë me një ngjarje aksidentale dhe nuk ka asnjë indicie për veprim kriminal ndaj të dëmtuarve.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë vijon punën për sqarimin e dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti.