Institucionet arsimore parauniversitare e mbyllën këtë vit duke shënuar një vit shkollor me kushtet më të larta të sigurisë. Edhe pse siguria është një koncept shumë i gjerë, po flasim për sigurinë për jetën dhe mbrojtjen e fëmijëve dhe adoleshentëve nga problemi i madh i drogës. Shpërndarësit e vegjël të lëndëve narkotike, si punëtorë të trafikantëve, i targetojnë shkollat pasi aty është vendi ku ata “bëjnë klientët” e së ardhmes. Tashmë strategjia e rekrutimit të përdoruesve në moshë të vogël është një taktikë e njohur e biznesit kriminal të drogës.
Adresimi i këtij problemi përmes nismës që ndërmori Ministria e Brendshme “Paketa e Sigurisë në Shkollë”, ishte një lëvizje e duhur. Dhjetra grupe shpërndarësish të drogës ranë në rrjetën e policinë brenda një viti, bashkë me lëndën narkotike që shpërndanin. Por “Paketa e Sigurisë në Shkollë” nuk ishte thjesht një operacion kundër shpërndarësve të drogës. Padyshim duke mos përfshirë këtu videot e PR që tregojnë policët që ndalojnë makinat tek vijat e bardha që të kalojnë nxënësit. (Në vend të kësaj mund të gjobiten shoferët që nuk respektojnë vijat e bardha).
Por të mbetemi tek siguria e vërtetë… Gjatë kësaj “fushate”, për herë të parë u adresuan çështjet e sigurisë në një diapazon të gjerë, që dalin përtej punës së Policisë së Shtetit dhe drejtuesve të shkollës. Ky problem, padyshim që është një përgjegjësi e madhe e policisë, por ai implikon në mënyrë të pashmangshme struktura të tjera të shoqërisë, siç janë familja, pushteti vendor, shoqëria civile dhe vetë shkolla.
Ne kemi handikape të mëdha në këtë drejtim. Familja është pak ose aspak e përfshirë në këto çështje. Prindërit, në të shumtën e rasteve, nuk janë të vëmendshëm ndaj problemeve të fëmijëve dhe nuk janë bashkëpunues. Ata nuk raportojnë në shkollë apo në polici nëse fëmija i tyre ka sjellje të çuditshme, që mund të japin sinjale se ai mund të kenë rënë në rrjetën e shpërndarësve të drogës, apo ndonjë grupi me aktivitet tjetër kriminal.
Në kuadër të kësaj nisme, Policia e Shtetit hodhi një hap më tej për t’iu qasur këtij problemi, duke ftuar në tryezën e “ndarjes së përgjegjësive”, edhe organizatat të prindërve, mësues, psikologë dhe aktorë të tjerë. Policia është hallka më e rëndësishme në vendosjes së sigurisë, por nuk është e vetmja. Përhapja e teknologjisë, përdorimi masiv i saj edhe nga të miturit, e bën sfidën e sigurisë edhe më të madhe dhe më të fortë. Me gjithë përpjekjet për të reduktuar përdorimin e saj nga të miturit, shmangia e saj është e pamundur. Me gjithë përparësitë që ka, teknologjia është përgjegjëse edhe për përhapjen e dhunës verbale, të frymëzimit të saj përmes mesazheve të pakontrolluara që përhap rrufeshëm, nga njëri cep i globit në tjetrin. Në këto kushte, projekti apo nisma “Paketa e Sigurisë në Shkollë”, jo vetëm që duhet të vazhdojë, por ajo duhet të zgjerojë rrethin e partnerëve dhe bashkëpunëtorëve. Duhet ta prezantojë këtë jo si një problem të sajin me botën e krimit, por si një problem të krejt shoqërisë me të keqen. Sepse kjo e keqe, në këtë rast, sulmon pjesën më të brishtë të shoqërisë, më delikaten dhe ku pasojat janë më të mëdha e shpesh të pariparushme, ajo sulmon fëmijët dhe adoleshentët. Ndaj dhe bordet e prindërve nëpër shkolla duhet të shndërrohen në mekanizma aktive dhe bashkëpunues.
Askush prej nesh nuk duhet të qëndrojë spektator para të keqes. Nuk bëhet fjalë vetëm për drogën, por për çdo element tjetër sigurie që lidhet me dhunën, bullizmin, apo edhe ushqimin e pasigurtë që shitet nëpër qoshet apo gardhet e shkollave. Pra, ne nuk mund të qëndrojmë në heshtje, e kur përballemi me problemin, të bërtasim: Po shteti ku është? Çfarë bën policia?
Përpara problemit të madh të drogës, por edhe të dhunës fizike e psikologjike mes të rinjve e të miturve, duhet të jemi të gjithë vigjilentë: Policia me mekanizmat e saj vëshgues e hetues; Shkolla me gatishmërinë për të konsideruar çdo anomali në mjedisin e saj dhe perimetrin që e rrethon; Familja në mjedisin e saj duke konsideruar çdo shqetësim të pazakontë të fëmijës, e kështu me radhë.
Vetëm kështu ne mund të krijojmë një mjedis jo thjesht më të sigurtë, por me të shëndetshëm. Kështu mundësojmë një shkollim, edukim dhe rritje më të mirë të fëmijëve.