GJKKO ka shtyrë për në orën 14.00 vijimin e seancës për 7 mjekët dhe infermierët e onkologjikut. Shkak është bërë kërkesa e avokatëve mbrojtës për t’u njohur me aktet e dosjes në ngarkim të mjekëve.
Mësohet se avokatja Xhoi Nela e cila mbron mjekun kirurg, Edmond Gashi ka shkuar edhe më tej. Ajo i është drejtuar trupit gjykues me një kërkesë për t’u njohur me shkresën e Prokurorisë së Tiranës e cila shpalli moskompetencë për rastin. Kujtojmë që hetimet për mjekët e Onkologjikut u kryen nga Prokuroria e Tiranës, ndërsa më pas çështja i kaloi SPAK-ut. Prokuroria e Posaçme ka ngritur tre akuza për mjekët dhe infermierët “për korrupsion”, dhe “shpërdorim të detyrës”.
Stafi i mjekëve dhe infermierëve të Onkologjikut akuzohet, sipas dosjes së Prokurorisë së Tiranës, se detyronte pacientët që të trajtoheshin në klinika private.
Me marrjen në dorë të dosjes, SPAK ka nisur hetimin pasuror ndaj tyre dhe ka kërkuar nga hipotekat dhe bankat e nivelit të dytë informacion për asete apo pasuri për të gjithë mjekët dhe zyrtarët e Onkologjikut.
Gjykata e Tiranës la në fuqi masat ndaj 7 të akuzuarve të përfshirë ne skemën abuzive në Departamentin e Onkologjikut në QSUT.
Hetimi i Prokurorisë së Tiranës
Nga hetimi i kryer nga prokuroria, ka rezultuar se pacientëve të diagnostikuar me tumor nuk u jepej trajtimi i duhur mjekësor dhe më pas drejtoheshin në klinika private.
Po ashtu, janë konstatuar raste të blerjes së ilaçeve me vlera të konsiderueshme për kimioterapi, nga farmaci të cilat këto medikamente i tregtonin pa pullën fiskale dhe me kod të prishur, duke krijuar dyshimin në lidhje me autenticitetin e këtyre barnave.
Prokuroria thotë se në Spitalin Onkologjik në QSUNT u instalua një Aparaturë Kobalto-Terapie për trajtimin e të sëmurëve të diagnostikuar me sëmundje tumorale dhe sidomos të sëmundjeve të kancerit të lëkurës.
Gjykata e Tiranës ka caktuar masat e sigurisë për 7 të akuzuarit, si më poshtë:
-Edmond Gashi, mjek onkolog në spitalin e Onkologjikut– “Arrest shtëpie” – Shpërdorim detyre
Alketa Pere Ymeri mjeke onkolog në spitalin e Onkologjikut – “Detyrim paraqitje” – Shpërdorim detyre
-Brikena Qirjazi Ish zv.drejtoreshë e QSUT – “Detyrim paraqitje” – “Shpërdorim detyre”
–Emiljano Lela Koordinatori pranë onkologjikut – “Detyrim paraqitje” – Shpërdorim detyre
-Drilona Kishta ish-specialist pranë QSUNT banuese në Amerikë – “Detyrim Paraqitje” – Shpërdorim detyre
-Halil Gashi administrator i klinikës Megis, babai i mjekut Gashi – “Detyrim paraqitje” – Fshehje e te ardhurave
-Florian Marku administrator farmacie – “Arrest shtëpie”