Gazeta italiane “Corriere della Sera” ka publikuar një shkrim për mafien shqiptare, ku Shqipëria paraqitet si vendi i kultivimit të marijuanës dhe transportimit të saj drejt vendeve perëndimore.
Shqiptarët janë ndër transportuesit më të mëdhenj të kokainës dhe heroinës, sipas gazetës italiane, ndërsa edhe lidhjet e politikës me kultivimin e marijuanës janë të forta.
Bashkëpunimi mes politikës dhe mafies nuk është vetëm kaq, sepse këta të fundit janë përfshirë në kanalet ndërkombëtare të trafikut të kokainës, me organizata si “Ndrageta” apo klanet e Amerikës së Jugut.
“Corriere” sqaron se burime italiane dhe të huaja i kanë thënë se në të shumtën e rasteve vrasjet për motive të narko-trafikut kamuflohen si aksidente rrugore. Djemtë e rinj që jetojnë në zonat malore blihen nga kriminelët dhe shndërrohen në vrasës.
Sipas Corriere, bandat shqiptarë në trafikun e kokainës janë globalizuar. Pas trafikimit të lëndëve narkotike me gomone në Adriatik, tani grupet shqiptare kanë punësuar edhe kimistët më të mirë kolumbianë, për të drejtuar rafineritë e kokainës ndërsa importojnë opium nga Afganistani. Për këtë, Shqipëria ka marrë edhe pseudonimin Albanistan.
Sipas “Corriere”, shqiptarët janë patriotë, kanë një ndjenjë të rrallë mikpritjeje dhe një natyrë të mrekullueshme. Pavarësisht kësaj, dhjetëra persona të rrezikshëm të dënuar në Itali, jetojnë të lirë në Shqipëri. Ata nuk arrestohen kurrë, sepse me 200 mijë euro çdokush mund të fitojë pandëshkueshmërinë e përjetshme, shkruan Corriere.
Gazeta përmend burime italiane dhe të huaja, por në asnjë rast ato nuk citohen në artikull.