Kosova Vrasja e Marigona Osmanit/ Burg përjetë për Dardan Krivaqën, 15 vite për...

Vrasja e Marigona Osmanit/ Burg përjetë për Dardan Krivaqën, 15 vite për Arbër Sejdiun

Gjykata Themelore e Ferizajt dënoi Dardan Krivaqën me burgim të përjetshëm, ndërsa Arbër Sejdiun me 15 vjet burgim, gjatë rigjykimit të vrasjes së Marigona Osmanit.

Ky vendim u shpall sot nga kryetari i trupit gjykues, Sahit Krasniqi, ndërsa, dy të akuzuarit kanë të drejtën për t’u ankuar ndaj këtij vendimi brenda 30 ditësh në Gjykatën e Apelit.

Sipas Prokurorisë, Krivaqa e kishte detyruar Marigonën që të kryenin marrëdhënie seksuale dhe e kishte abuzuar në forma të ndryshme.

Në seancën e kaluar gjyqësore, ku nuk munguan tensionet me familjarët e të ndjerës, Krivaqa tha se ai dhe viktima ishin përdorues të lëndëve narkotike, dhe se abuzimi dhe dhunimi është kryer nën efektin e drogës. Megjithatë ky pretendim nuk e ka lehtësuar pozitën e tij juridike, duke lënë në fuqi dënimin me burgim të përjetshëm.

Ngjarja e rëndë ndodhi në gusht të vitit 2021 në Ferizaj, ku dy të rinjtë pasi kanë dhunuar për 24 orë 18-vjeçaren, Marigona Osmani e kanë hedhur në derën e spitalit të Ferizajt, ku dhe humbi jetën, për shkak të plagëve të marra.

Dardan Krivaqa dhe Arbër Hajdari janë kapur nga kamerat, duke hedhur 18-vjeçaren përtokë në derën e spitalit me 21 gusht. Fotot e tyre u nxorën nga kamerat e sigurisë dhe u shpërndanë në të gjitha pikat kufitare dhe të gjitha drejtoritë të policisë së Kosovës.