Aktualitet Shëngjini në flakë, zjarri arrin pranë resorteve, shkrumbohet lokali në plazh

Shëngjini në flakë, zjarri arrin pranë resorteve, shkrumbohet lokali në plazh

Situata me zjarret që vijojnë të djegin prej mbrëmjes së djeshme sipërfaqe pyjore në zonën e “Ranës së Hedhun” në Shëngjin, është përkeqësuar mesditën e sotme.

Flakët të ndihmuara edhe nga era e fortë, i janë afruar resorteve dhe njësive turistike në zonë.

Rreth mesditës flakët kanë zbritur edhe në bregdet duke djegur çadra plazhi dhe një “beach-bar”.

Zjarrfikësit, Forcat e Armatosura por dhe banorë e punonjës të resorteve po punojnë për të izoluar flakët që kanë vendosur në rrezik serioz godinat hoteliere.

Zona ku është riaktivizuar vatra është shumë pranë ish-zonës ushtarake dhe dyshohet për shpërthime të municioneve të mbetura aty prej vitesh.

Ndërkohë për shuarjen e zjarrit po punojnë 20 automjete zjarrëfikëse si dhe një helikopter, por era e fortë favorizon avancimin e flakëve.