Ekonomi Kërkonin 100 mln dollarë dëmshpërblim, Shqipëria fiton arbitrazhin kundër “Kurum”

Kërkonin 100 mln dollarë dëmshpërblim, Shqipëria fiton arbitrazhin kundër “Kurum”

Shqipëria ka fituar një tjetër çështje në arbitrazhin ndërkombëtar ICSID, kësaj radhe me kompaninë Durres Kurum Shipping SH.P.K. Pretendimet e Kompanive Durres Container Terminal SH.A, Metal Commodities Foreign Trade Corp. dhe Altberg Developments LP,  lidheshin me ndërprerjen e koncesionit mbi terminalin e kontejnerëve në Portin e Durrësit.

Paditësit kërkonin dëmshpërblim në shuma që tejkalonin vlerën e 100 milionë dollarëve amerikanë.

Nga ana e saj Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë përmes argumenteve ligjore e ka fituar këtë çështje në të gjitha shkallët e gjyqësorit shqiptar.

Tribunali i gjykatës së arbitrazhit ICSID unanimisht vendosi që koncesioni u ndërpre në respektim të legjislacionit vendas nga gjykatat shqiptare sipas procedurës së rënë dakord në kontratë dhe hodhi poshtë pretendimet e Paditësve që një ndërprerje e tillë ishte kryer me qëllim dhe jo në mënyrën e duhur nga autoritetet shqiptare, konkretisht Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Tribunali gjithashtu urdhëroi Paditësit të paguajnë shumicën e shpenzimeve dhe kostove të Republikës së Shqipërisë në këtë proces arbitrazhi.

Rezultati i këtij procesi u arrit nga puna e bërë nga grupi i punës, i përbërë nga ekspertë të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Avokatura e Shtetit, Autoriteti Portual Durrës, si dhe me mbështetjen e studios ligjore ndërkombëtare Freshfields Bruckhaus Deringer.

Ky vendim vjen pak kohë pasi një tjetër çështje e rëndësishme u fitua nga shteti shqiptar në gjykatën ndërkombëtare që vepron nën Dhomën Ndërkombëtare të Tregtisë (ICC) me seli në Paris, e cila dha vendimin përfundimtar për mosmarrëveshjen e ngritur nga Bankers Petroleum kundër Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë së Shqipërisë (MIE) dhe Albpetrol.