Kryesore Skandali në aeroport me presidenten Osmani, Ministria e Brendshme e Maqedonisë së...

Skandali në aeroport me presidenten Osmani, Ministria e Brendshme e Maqedonisë së Veriut jep versionin e saj

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani u përfshi në një incident paraditen e sotme në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit ku po kalonte tranzit. Punonjësit e sigurisë kanë kërkuar që asaj t’i merret telefoni, por kjo është kundërshtuar nga stafi i saj. Sipas presidencës së Kosovës një pjesëtar i sigurimit të aeroportit ka tentuar ta shtyjë Presidenten e Kosovës. Situata është agravuar dhe për këtë Osmani ka kërkuar ndihmën e kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi.

Për këtë ngjarje ka reaguar Ministria e Brendshme e Maqedonisë së Veriut që jep një tjetër version të ngjarjes. Sipas saj, Osmani refuzoi kontrollin në skaner të çantës dhe të telefonit dhe se njerëzit që dërgoi Gashi në aeroport kanë kërcënuar punonjësit.

“Sot (01.08.2024) rreth orës 10:00 në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit, teksa presidentja e Kosovës po kalonte kontrollin kufitar, në momentin kur asaj iu kërkua që telefonin e saj të kalonte përmes skanerit, një person nga sigurimi i saj është larguar nga punonjësja e TAV-së, me qëllim që ajo të kalonte pa telefon të skanuar dhe bagazh dore. Por më pas bagazhi u kthye dhe kaloi përmes një skaneri.

Pas gjysmë ore erdhi një person nga sigurimi i kryetarit të Kuvendit Gashi (polic) me dy persona të tjerë (polic) dhe filluan të kërcënojnë punëtorët e TAV-së dhe të pyesin se kush i ka shkaktuar problem presidentit. Në të njëjtën kohë ka shtyrë edhe një punonjës policie që punonte në pikën kufitare. Menjëherë është njoftuar Departamenti për Kontroll të Brendshëm, Hetime Kriminale dhe Standarde Profesionale dhe po merren masa për zbardhjen e rastit në koordinim me PTHP për QKK-në, pas së cilës do të dorëzohen parashtresat përkatëse”, thuhet në njoftimin e MPB të Maqedonisë.